Bedri Hamza zgjidhet kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës
Nga OraNews Përditësimi i fundit 17 Nëntor 2025, 17:59
Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë konventës së mbajtur të kësaj partie pasditen e 17 nëntorit.
Hamza u zgjodh përmes votimit të hapur dhe për të nuk kishte votuar kundër. Ai nuk kishte kundërkandidat dhe zgjedhja e tij u bë pasi Memli Krasniqi ditë më parë dha dorëheqje nga kreu i partisë.
Hamza, 62 vjeç, ka shërbyer dy herë si ministër i Financave i Kosovës dhe në katër vjetët e fundit e udhëhoqi komunën e Mitrovicës së Jugut.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, ai ishte kandidati i PDK-së për kryeministër.
Ai është zyrtari i vetëm i partisë që shpalli kandidaturën për ta udhëhequr partinë e dytë më të madhe në vend aktualisht.
