Sekuestrohen detonatorë ndezës në Leposaviq, reagon Sveçla
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi sot se Serbia përmes bandave kriminale dhe terroriste vazhdon të planifikojë dhe të ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës.
Sveçla ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in, kanë gjetur dhjetë detonatorë ndezës me fitila (kabllo), në afërsi të fshatit Gnjezhdan në komunën e Leposaviqit.
Në një postim në rrjetin e tij social, Sveçla tha se shtrirja e Policisë së Kosovës dhe prania e institucioneve të sigurisë, ka bërë të mundur që mjetet e tilla të kapen dhe të minimizohen rastet e sulmeve të rrezikshme terroriste, që kanë për qëllim të dëmtojnë dhe të cenojnë sigurinë e vendit.
Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla theksoi se institucionet e sigurisë janë të vendosura në luftë përballë bandave të tilla kriminale, të cilave, sipas tij do t’i përgjigjen ashtu siç e meritojnë.
“Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës.
Dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq.
Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e institucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve.
Por, nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë e mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave do t’i përgjigjet ashtu siç e meritojnë”, ka deklaruar Sveçla. /KosovaPress/

