“Ecim përpara”/ Karaj: Andorra na e bëri të vështirë suksesin, ndaj vëmendja ishte edhe në Uembli

Kombëtarja shqiptare ka arritur një fitore të artë në transfertë ndaj Andorrës, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në ndeshjen e parafundit të Grupit K të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.

Fitorja, e kombinuar me humbjen 2-0 të Serbisë në fushën e Anglisë, i ka dhënë Shqipërisë kualifikimin historik në fazën “play-off” të Botërorit, për herë të parë në historinë e saj.

Gazetari dhe moderatori i emisionit “Ora Sport” në “Ora Neës”, Klodi Karaj u shpreh se fitorja ndaj Andorrës ishte e pritshme, por që gjithsesi erdhi me një rezultat të ngushtë.

Karaj tha se përveç sfidës direkte, vëmendja e kuqezinjve ishte edhe në stadiumin e “Uemblit”, pasi flitej për një skenar se mund të kishte një barazim në përballjen mes Anglisë dhe Serbisë, që ishte dhe kundërshtari ynë direkt për vendin e dytë në grup.

“Pastaj llogaritë për ecurinë e ekipit tonë kombëtar do të ishin ndryshe. E më pas në pjesën e dytë u pa që vëmendja në fakt duhej të ishte në fushë ndaj Andorrës, sepse në letër diferencat ishin shumë të mëdha.

Andorra tentoi në mënyrën e saj të na prishte punë, por kombëtarja jonë e kaloi këtë me shumë sukses dhe një urim i veçantë shkon për Asllanin.

Dhe çfarëdo që të ndodhë të dielën vendi i dytë dhe kualifikimi për në “Play Off” është një kapitull i mbyllur, kështu që ne duhet të shikojmë përpara”, u shpreh ndër të tjera Klodi Karaj

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME GAZETARIN KLODI KARAJ