Sylvinho: Fitore për 9 milionë shqiptarë! Broja i mërzitur? Problem i tij, kjo është lojë grupi

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, doli para mediave pas triumfit minimal 1-0 ndaj Andorrës, një fitore që i garanton Shqipërisë vendin në fazën “play-off” të Botërorit 2026. Braziliani u shfaq i qartë dhe realist në analizën e ndeshjes, duke theksuar se sfida ka qenë shumë më e vështirë sesa mund të dukej në letër.

Sylvinho u pyet nëse ndryshimet në formacion mund të ishin bërë më herët, por përgjigjja e tij ishte e prerë:

“Jo. Ka qenë një ditë shumë e ashpër. E kam thënë gjithmonë: Andorra është kundërshtar i vështirë. Edhe Anglia ka fituar vetëm 1-0, Serbia shënoi në pjesën e dytë. Ne nuk jemi Gjermania që fiton 6-0.”

Trajneri u ndal edhe te gjendja e Armando Brojës, i cili u pa i mërzitur pas ndeshjes:

“E pashë Brojën të mërzitur, nuk e di pse. Duhet të jemi të gjithë të lumtur. Nëse ai nuk është i kënaqur, është problem i tij. Kjo është lojë grupi.”

Sylvinho: Fitore për 9 milionë shqiptarë! Broja i mërzitur?

Më tej, Sylvinho falënderoi futbollistët dhe tifozët për punën dhe mbështetjen e vazhdueshme:

“Duhet të festojnë të gjithë shqiptarët, në Shqipëri dhe jashtë. Jam shumë i lumtur për tifozët. Do t’i bëj edhe një telefonatë Hamdi Salihit, është një person që e kam shumë për zemër. Më gëzon fakti që kur eci rrugës, njerëzit më ndalojnë e më falënderojnë për punën.”

Sa u përket kundërshtarëve të mundshëm në “play-off”, Çekia, Sllovakia, Hungaria ose Skocia, trajneri tha se ekipi duhet të përgatitet pa humbur kohë:

“Tani po përcaktohet gjithçka dhe menjëherë do të mendojmë për ‘play-off’-in. Është një ndeshje teke: fiton, shkon përpara. Duhet të jemi gati fizikisht e mendërisht. Na duhen të gjithë lojtarët, edhe ata që sot ishin në tribunë.”

Sylvinho komentoi edhe aktivizimin e Tucit në minutat e fundit:

“Tucin e futa sepse na duhej të qetësonim lojën dhe të zotëronim topin. Ai është më shumë trekuartist, por mund të luajë edhe si sulmues i parë.”