‘Fija e perit’ ku mbahet Italia për t’u kualifikuar direkt në Botërorin 2026
Italia rrezikon seriozisht të mos sigurojë një vend të drejtpërdrejtë në Kampionatin Botëror 2026 dhe gjithçka tashmë nuk është më në duart e saj.
Kombëtarja e Gennaro Gattuso-s është e varur nga rezultati i ndeshjes Norvegji–Estoni, që do të zhvillohet përpara asaj mes Moldavisë dhe Italisë.
Nëse Norvegjia, që ka fituar të gjashtë ndeshjet e deritanishme, mposht sërish Estoninë dhe shkon në shtatë fitore nga shtatë ndeshje, Italia nuk do të ketë më asnjë mundësi të sigurojë kualifikimin direkt.
Në atë rast, “Azzurrët” do të duhet ta kërkojnë një vend në Botëror përmes ‘play-off’-it të marsit.
Aktualisht, Norvegjia ka tri pikë më shumë se Italia dhe një diferencë golash +26, krahasuar me vetëm +10 të Italisë, një hendek praktikisht i pakapërcyeshëm.
Edhe nëse Italia fiton ndaj Moldavisë dhe më pas mposht Norvegjinë në “San Siro”, diferenca e golave e bën pothuajse të pamundur kalimin në vendin e parë.
Për ta arritur këtë, Italia do të duhej të fitonte sonte me një rezultat dyshifror, dhe më pas të mundte norvegjezët me të paktën 3–0, një skenar që duket i paarritshëm.
Norvegjia do të sigurojë matematikisht kualifikimin nëse fiton ndaj Estonisë dhe Italia nuk arrin të mundë Moldavinë.
Nëse diferenca mbetet tri pikë, por diferenca e golave mbetet po kaq e madhe, edhe atëherë norvegjezët do ta kishin kualifikimin pothuajse të garantuar.
Megjithatë, ekziston një shpresë e vogël: nëse Estonia barazon ose mposht Norvegjinë, gjithçka mund të ndryshojë.
Në atë rast, Italisë do t’i mjaftonte një fitore ndaj Moldavisë për të arritur në pikët e njëjta ose vetëm një më pak se Norvegjia.
Kështu, ndeshja e fundit në “San Siro” do të bëhej vendimtare dhe do të mjaftonte edhe me një fitore minimale.
Një mision shumë i vështirë… por ende i mundshëm.
