PËRLESHJE NË SAMITIN E KLIMËS/ Protestues indigjenë sfidojnë sigurinë në COP30 Brazil (FOTO+VIDEO)

Tensione në samitin e klimës COP30 në Brazil. Dhjetëra protestues indigjenë hynë me forcë në kompleksin e OKB-së në qytetin e Belemit. Ata kërkuan më shumë veprim për klimën dhe mbrojtje të pyjeve të Amazonës. Përleshjet me rojet e sigurisë lanë disa persona të lënduar lehtë.

Këto janë pamje të tensionuara në qytetin e Belemit të Amazonës, ku protestues indigjenë u përplasën me forcat e sigurisë në hyrje të vendit ku mbahet samiti i klimës COP30.

Turma, e përbërë nga dhjetëra përfaqësues të komuniteteve indigjene, kërkoi të hynte në ambientet e OKB-së për të dorëzuar kërkesat e tyre për veprim urgjent ndaj krizës klimatike.

Disa prej tyre mbanin pankarta me mesazhe si “Toka jonë nuk është në shitje”, ndërsa të tjerë kërkonin fundin e shfrytëzimit të tokave nga kompanitë e naftës dhe minierave.

Rojet e sigurisë përdorën barriera dhe tavolina për të ndaluar hyrjen e turmës, por disa arritën të depërtojnë për pak momente brenda kompleksit.

PËRLESHJE NË SAMITIN E KLIMËS/ Protestues indigjenë

Sipas dëshmitarëve, dy roje sigurie u plagosën lehtë gjatë përplasjes, ndërsa siguria konfiskoi disa shkopinj të përdorur nga protestuesit.

Në një deklaratë zyrtare, Kombet e Bashkuara konfirmuan incidentin, duke thënë se vendi është siguruar plotësisht dhe negociatat e samitit po vazhdojnë normalisht.

COP30 po zhvillohet në zemër të Amazonës, një rajon i prekur rëndë nga shpyllëzimi dhe ndryshimet klimatike.

Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva e ka vënë theksin tek roli i komuniteteve indigjene në mbrojtjen e pyjeve tropikale.

PËRLESHJE NË SAMITIN E KLIMËS/ Protestues indigjenë

Shefi i njohur indigjen, Raoni Metuktire, kërkoi që qeveria të fuqizojë popujt vendas për të mbrojtur pyjet dhe jetesën e tyre tradicionale.

Me gjithë tensionet e ditës, protestuesit thonë se do të vazhdojnë presionin për veprim të vërtetë ndaj ndryshimeve klimatike, në një nga zonat më jetike për ekuilibrin e klimës globale.