2352 vite burg kundërshtarit të Erdogan/ Prokuroria turke 142 akuza kryebashkiakut të Stambollit! Reagon Opozita
Plot 2352 vite burg kërkojnë prokurorët turq për kryebashkiakun e bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, një politikan i njohur gjerësisht si kundërshtar i president Rexhep Taip Erdogan. Në dosjen 3,700 faqëshe ngrihen 142 akuza të ndara ndaj Imamoglu, përfshirë “krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale” dhe “pranim ryshfeti”. Opozita nga ana e saj e sheh çështjen si një përpjekje për ta eliminuar rivalin kryesor të presidentit Erdogan përpara zgjedhjeve presidenciale të 2028-ës.
Plot 2352 vite burg kërkojnë prokurorët turq për kryebashkiakun e bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, një kundërshtar i president Rexhep Taip Erdogan.
Sipas medieve turke, në dosjen 3,700 faqëshe ngrihen 142 akuza të ndara ndaj İmamoglu, përfshirë “krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale” dhe “pranim ryshfeti”.
Imamoglu, figurë kryesore e Partisë Popullore Republikane (CHP), u arrestua më 19 mars bashkë me dhjetëra zyrtarë e biznesmenë. Vetëm pak ditë më vonë, partia e tij e shpalli kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 — duke ndezur protestat më të mëdha në vend gjatë dekadës së fundit.
Në vitin 2019, Imamoglu fitoi garën për Stambollin, duke i dhënë fund dominimit të partisë së presidentit Erdogan mbi qytetin që prej vitit 1994. Ai u rizgjodh në vitin e kaluar dhe shihej si rivali kryesor politik i presidentit turk.
Hetimet e nisura në Stamboll janë zgjeruar tashmë edhe në bashki të tjera të drejtuara nga opozita, përfshirë Adanën dhe Antalyan, ku disa kryebashkiakë janë ndaluar nga autoritetet.
Në aktakuzën e dorëzuar në Gjykatën e Rëndë Penale nr. 40 të Stambollit, prokurorët e përshkruajnë rrjetin e dyshuar si “me krahë si oktapod,” një shprehje që është përdorur shpesh nga vetë presidenti Erdogan.
Sipas dokumentit, Imamoglu akuzohet se ka tentuar të “marrë kontrollin e partisë CHP” dhe të ketë ngritur një organizatë për të mbledhur fonde për fushatën e tij presidenciale. Prokurorët pretendojnë se rrjeti kriminal ka shkaktuar humbje publike prej 160 miliardë lirash dhe 24 milionë dollarësh amerikanë.
Imamoglu në rrjetet sociale e ka cilësuar aktakuzën si të ndërtuar mbi gënjeshtra, kërcënime dhe shpifje, madje ai ka kërkuar që gjyqi ndaj tij të transmetohet drejtpërdrejti, që populli të shohë kush janë vërtetë kriminelët.
Procesi pritet të mbahet në muajt e ardhshëm, ndërsa opozita e sheh çështjen si një përpjekje për ta eliminuar rivalin kryesor të presidentit Erdogan përpara zgjedhjeve presidenciale të 2028-ës.

