Projektligjet për dënimin me vdekje dhe median e huaj kalojnë leximin e parë në Knesset
Parlamenti izraelit miratoi sot me leximin e parë dy projektligje shumë të diskutueshme, përfshirë një që do të zgjeronte dënimin me vdekje për terroristët dhe individët e shpallur fajtorë për vrasje me motive nacionaliste, sipas CNN.
Që të shndërrohen në ligj, projektligji duhet të kalojë dy lexime të mëtejshme në Knesset.
Projektligji për dënimin me vdekje, i mbështetur nga ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir, kaloi leximin e parë me 39 vota pro dhe 16 kundër.
Ben Gvir ka argumentuar se kjo mase do të krijonte një pengesë të konsiderueshme kundër terrorizmit dhe kërcënoi të tërhiqte partinë e tij nga qeveria e koalicionit të Izraelit nëse projektligji nuk do të hidhej në votim.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e kishte kundërshtuar më parë projektligjin, duke shfaqur shqetësim për hakmarrje të mundshme kundër pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza.
Izraeli aktualisht lejon dënimin me vdekje vetëm në raste të jashtëzakonshme, por ai nuk është përdorur për dekada të tëra.
Projektligji gjithashtu ndryshon ligjin e gjykatave ushtarake, me juridiksion mbi Bregun Perëndimor të pushtuar, duke u lejuar gjykatave atje të vendosin dënimin me vdekje me shumicë të thjeshtë votash.
Projektligji për median e huaj
Në të njëjtën seancë, ligjvënësit miratuan gjithashtu leximin e parë të një projektligji të veçantë që do t’i lejonte qeverisë izraelite të mbyllte mediat e huaja pa urdhër gjykate.
Propozimi synon të zyrtarizoje atë që është quajtur “Ligji i Al Jazeera-s”, pasi operacionet e rrjetit të Katarit në Izrael u mbyllën në vitin 2024 nga Ministria e Komunikimit.
Ajo akuzoi ”Al Jazeera”-n për mbështetje të Hamasit.
”Al Jazeera” i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe ka dënuar mbylljen e saj në Izrael.
Shumë gazetarë të ”Al Jazeera”-s në Gaza janë vrarë gjithashtu nga forcat izraelite gjatë dy viteve të fundit.
Legjislacioni i ri për median e huaj do t’i bënte këto kompetenca të përhershme, madje edhe jashtë kohërave të luftës ose emergjencës kombëtare dhe do të hiqte kërkesën për mbikëqyrje gjyqësore.
”Reporterët pa kufij” (RSF) e dënuan propozimin, duke e quajtur atë gozhdën e parë në arkivolin e pavarësisë editoriale të medieve në Izrael.

