6 MILIARDË EURO PËRMES MASHTRIMIT/ “Mbretëresha e kriptovalutave” pranon aktivitetin e paligjshëm

Një grua nga Kina, akuzohet se ka mashtruar mijëra pensionistë duke përvetësuar rreth 6 miliardë euro dhe duke i kthyer ato në Bitcoin. Këtë javë 47 vjeçarja pritet të dënohet për pastrim parash, ndërsa viktimat shpresojnë të marrin një pjesë të parave të humbura

Një shtetase kineze, akuzohet se ka përvetësuar përmes një skeme mashtrimi 6 miliardë euro nga mijëra pensionistë në Kinë dhe i ka shndërruar ato në kriptovaluta.

47 vjeçarja pritet të dënohet këtë javë në Londër për pastrim parash.

Pasi iku nga Kina në vitin 2017 me pasaportë të rreme, Qian u vendos në një shtëpi luksoze në Hampstead, Londër, duke paguar më shumë se 20,000 euro në muaj për qiranë.

Atja e paraqiti veten si një trashëgimtare të pasur dhe përdori një asistente për ta kthyer kriptovalutën në para të zakonshme.

Qian kishte krijuar një kompani të quajtur “Bluesky Greet”, që pretendonte se prodhonte pajisje shëndetësore.

Në të vërtetë, ajo mashtronte investitorët duke i bindur të jepnin më shumë para.

Më shumë se 100,000 njerëz investuan kursimet e tyre, duke menduar se do të pasuroheshin. Shumë ishin të moshuar që humbën gjithçka.

Kur po përpiqej të blinte një pronë shumë të shtrenjtë, bankat dhe policia nisën hetimet, sepse nuk mund të shpjegonte burimin e parave.

Në vitin 2024, Qian u arrestua në qytetin e York. Policia britanike e bastisi shtëpinë e saj dhe gjeti dhjetëra mijëra Bitcoin, gjë që përbën një nga sekuestrimet më të mëdha të kriptomonedhave në botë.

Ajo pranoi se kishte blerë dhe zotëruar kriptovaluta në mënyrë të paligjshme.

Vlera e Bitcoin-it që ajo kishte është rritur më shumë se 20 herë, ndaj tani autoritetet britanike po vendosin se çfarë do të bëhet me këto para.

Viktimat shpresojnë që të marrin të paktën një pjesë të parave të tyre mbrapsht.

Megjithatë, procesi ligjor është i ndërlikuar dhe jo të gjithë mund të kompensohen.