Shqyrtimi i buxhetit 2026/ Zv.Guvernatorja e BSH rekomandon rishikimin e skemës së pensioneve: Sfida kryesore fiskale mbetet plakja e popullsisë

Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, ka dhënë këtë të martë opinionin e saj në Komisionin e Ekonomisë mbi projektbuxhetin e vitit 2026, duke e vlerësuar si optimist dhe të orientuar drejt rritjes ekonomike dhe konsolidimit fiskal.

Më tej Minxhozi ka bërë pesë rekomandime për qeverinë, duke përfshirë nevojën për rishikimin e skemës së pensioneve, monitorimin e koncesioneve dhe shpërndarjen më efektive të shpenzimeve gjatë vitit.

Ajo theksoi rëndësinë e rishikimit të skemës së pensioneve përballë sfidave të plakjes së popullsisë dhe rritjes së deficitit të saj.

Skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, vijon të jetë një barrë e konsiderueshme në buxhetin e shtetit, duke tejkaluar edhe nivelin e deficitit të përgjithshëm buxhetor.

Sfidat fiskale të këtyre skemave mbeten të larta duke marrë në konsideratë fenomenin e plakjes së popullsisë, por edhe atë të tkurrjes demografike.

Këto tregues pritet të ushtrojnë presion të shtuar mbi financat publike në të ardhmen dhe duke e bërë të domosdoshme ndërmarrjen e reformave shtesë që të garantonin reduktimin e vulnerabilitetit fiskal të lidhura me to.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë rekomandon, rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, me qëllim kontrollin dhe mbështetjen e saj më të mirë, zhvillimin dhe promovimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve nëpërmjet mekanizmave fiskalë dhe rregullatorë nxitës dhe integrimin e analizës së rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të programit buxhetor në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. 

Për projektet e partneritetit publik privat, në buxhetin e vitit 2026 është përcaktuar një tavan i sipërm i vëllimit.

Vlera totale e projekteve e PPP-ve në masën 27.1% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe është kufizuar shuma totale e shpenzimeve që do të përballohen nga buxheti në masën 5% të të ardhurave tatimore të vitit pasardhës.

Në këtë kuadër Banka e Shqipërisë inkurajon përpjekjet për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë, vlerësojnë dhe kontraktojnë, monitorojnë gjithashtu këto projekte sidomos, përsa i përket detyrimeve ligjore dhe financiare, të cilat shpesh ngarkojnë buxhetin e shtetit”, tha zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi.