16 mijë mjete elektrike në Shqipëri, Karakaçi: Nevojitet rregullim ligjor për karkimin
Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi tha sot se nevojitet një përmirësim dhe rregullim ligjor i tregut të karikimit të mjeteve elektrike, për një qëndrueshmëri të sektorit edhe në vitet e ardhshme.
Në aktivitetin e prezantimit të projektit “OSHEE Charge”, me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, administratori i OSHEE-së u shpreh se deri tani zhvillimi i këtij tregu ka qenë spontan dhe i pakoordinuar brenda institucioneve shtetërore.
“Sot janë bashkitë, strukturat aktuale që bëjnë dhënie të miratimeve të këtyre pikave të karikimit dhe rishitjes së energjisë me çmime të parregulluara. Në pikat e karikimit të mjeteve elektrike çmimet janë nga 40-60 lekë, ndërkohë kostoja e blerjes është 14 lekë”, tha ai, duke theksuar se ka një rishitje të energjisë me një çmim gati trefish më të lartë se kostoja.

“Ne kemi bërë një analizë të tregut të pikave të karikimit dhe deri tani janë rreth 254 pika karikimi mjetesh elektrike të ndara ndërmjet taksive, ku 66 pika dominohen nga taksitë dhe pjesa tjetër janë për qëllim rishitje apo për vetë nevojat e biznesit. Tregu i mjeteve elektrike ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm. Kemi 16 mijë mjete elektrike të regjistruara në Shqipëri, ndërsa vetëm në 10-mujorin e parë të 2025-ës kemi 4600 mjete elektrike të regjistruara për herë të parë”, vijoi Karakaçi.
Administratori i OSHEE-së nënvizoi se nevoja për të rregulluar këtë sektor është urgjente.
“Këto mjete, për shkak të vetë teknologjisë së tyre, krijojnë një kosto specifike në kompaninë tonë, kosto që janë mbajtur nga OSHEE. Kapaciteti i tyre nga kabinat elektrike është i madh një pikë karikimi zë vend sa për 30 familje. Është nevoja që të bëhet një rregullim i këtij sektori që të krijomë qëndrueshmëri të rrjetit, por edhe për një ndarje të kostove përkatëse”, tha Karakaçi.
Sipas tij, më 1 nëntor Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimin 22 lekë për kilovat për pikat e karikimit të mjeteve elektrike.
“Rritja e çmimit është vetëm për pikat e biznesit dhe ato komerciale. Për familjet që bëjnë karikimin e mjeteve të tyre çmimi është i pandryshuar 9,5 lekë për familje, çmimi më i ulët në rajon për karikimin e mjeteve elektrike”, përfundoi Karakaçi.

