Kirurgji në tru nga kilometra larg! Operacioni i parë në botë që kryhet nga distanca përmes teknologjisë robotike
Mjekë nga Skocia dhe SHBA-të kanë kryer për herë të parë një operacion në tru me robotë të komanduar nga një distancë prej mbi 6,000 kilometrash. Ky testim historik pritet të revolucionarizojë mjekësinë, duke lejuar që ndërhyrjet të kryhen nga çdo vend i botës
Mjekë nga Skocia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë realizuar një operacion historik, që konsiderohet si i pari në botë i këtij lloji.
Profesorja Iris Grunwald nga Universiteti i Dundee në Skoci ka kryer një operacion për heqjen e mpiksjes së gjakut në tru e njohur si thrombectomy duke përdorur një robot të komanduar nga distanca.
Ajo ndodhej në spitalin NineWells në Dundee, ndërsa trupi mbi të cilin punonte ishte në një tjetër laborator brenda qytetit.
Vetëm disa orë më vonë, neurokirurgu amerikan Ricardo Hanel, nga Florida, e përdori të njëjtin sistem për të bërë operacionin nga Amerika në Skoci, duke komanduar robotin në një trup njerëzor të dhuruar për shkencë, në më shumë se 6,400 kilometra distancë.

Sipas mjekëve, ky eksperiment është një ndryshim i madh në historinë e mjekësisë, pasi tregon se në të ardhmen mjekët mund të kryejnë operacione të ndërlikuara nga çdo vend i botës.
“Dukej sikur po shihnim të ardhmen. Tani çdo hap i procedurës mund të bëhet me robot”, tha prof Grunëald.
Në eksperiment u përdorën katër trupa të dhuruar për kërkime shkencore, me një lëng që imiton qarkullimin e gjakut të vërtetë.
Ekipi shpreson që vitin e ardhshëm të fillojë provat klinike tek pacientët e vërtetë, me synimin që kjo teknologji të përdoret në spitalet e botës në vitet e ardhshme.

