Nvidia bëhet kompania e parë në histori me vlerë tregu mbi 5 trilionë dollarë

Kompania amerikane e teknologjisë Nvidia sot u bë kompania e parë në histori që arrin një vlerë tregu prej mbi 5 mijë miliardë dollarësh (5 trilionë), duke shënuar një moment historik në tregjet financiare globale.

Sipas The Guardian, kjo rritje e jashtëzakonshme është pjesë e një trendi më të gjerë në rritjen e vlerës së kompanive teknologjike, të nxitur nga pritjet se Rezerva Federale e SHBA-së do të ulë normat e interesit me 0.25 për qind.

Aksionet e Nvidia-s u rritën me 5% pas lëvizjeve strategjike të drejtorit ekzekutiv Jensen Huang, i cili siguroi porosi për çipa të inteligjencës artificiale në vlerë prej 500 miliardë dollarësh dhe njoftoi planin për ndërtimin e një superkompjuteri në bashkëpunim me qeverinë amerikane.

Ndërkohë, indeksi i teknologjisë S&P 500 u rrit me 1.4%, indeksi i përgjithshëm S&P 500 me 0.3%, Nasdaq me 0.7%, dhe Dow Jones me 0.6%.

Tre indekset kryesore të tregjeve amerikane kanë arritur nivele rekord ditët e fundit, të nxitura nga boomi i inteligjencës artificiale, fitimet e forta të korporatave dhe pritjet për ulje të normave të interesit.