Bëhet gati për në Hënë/ Mega-raketa Starship e Spacex kryen provë me sukses

Mega-raketa Starship e SpaceX që pritet të bëjë uljen e parë në hënë në vitin 2027 përfundoi me sukses një fluturim prove një orësh.

Ky ishte fluturimi i 11-të testues dhe i dyti radhazi që përmbush të gjitha objektivat pa defekte, pas disa dështimeve gjatë këtij viti.

Starship realizoi një sërë manovrash të ndërlikuara, fiku dhe ndezi sërish motorin ndërsa ndodhej në hapësirë, hapi derën anësore të ngarkesës dhe hodhi satelitë të rremë, përpara se të kryente një rikthim të kontrolluar dhe ulje në Oqeanin Indian.

Ky fluturim shënon fundin e testimeve për prototipin aktual Version 2.

SpaceX ka konfirmuar se fluturimi i radhës do të realizohet me Starship Version 3, një version i zgjeruar që pritet të përdoret për misione orbitale dhe transport ngarkesash të vërteta.

Ndërkohë, CEO i SpaceX, Elon Musk, dhe drejtues të NASA-s, e kanë quajtur testin një hap të madh përpara.

NASA planifikon të përdorë Starship për uljen e astronautëve në polin jugor të Hënës në vitin 2027 një objektiv ambicioz në kuadër të garës së re hapësinore me Kinën.

Starship, raketa më e fuqishme ndonjëherë, është projektuar për të qenë plotësisht e ripërdorshme, një revolucion në teknologjinë hapësinore që mund të hapë rrugën drejt misioneve në Mars dhe më tej.