PUNA NË KUPTIMIN FILOZOFIK/ Nga zgjedhë, robëri, nënshtrim... në iluzionin më magjepsës të lirisë dhe mirëqenies

Në një varg të thjeshtë e të ngulitur në ndërgjegjen kombëtare, Naim Frashëri shkruan:

 “Punë, punë, natë e ditë,

që të shohim pakëz dritë.”

Ky varg është një thirrje rilindëse, një lutje për përpjekje të përbashkët, për një punë që ndriçon, që çliron, që ndërton. Për Naimin, puna është mjet i emancipimit, rrugë drejt dritës, sakrificë për të nesërmen. Në një kohë kur Shqipëria ishte ende e zhytur në errësirën e robërisë, puna përfaqësonte jo vetëm një nevojë ekonomike, por një akt shpirtëror dhe kombëtar.

Por në një tjetër skaj të mendimit, Friedrich Nietzsche, në Aurora, na paralajmëron:

 “Ky angazhim i ashpër nga mëngjesi deri në mbrëmje... është masa më e mirë e policisë... sepse ia rrëmben njeriut reflektimin, ëndrrën, mendimin, dashurinë dhe urrejtjen.”

Për Nietzsche-n, puna e pandërprerë nuk është dritë, por mjegull që errëson mendjen. Ajo është një mekanizëm i kontrollit, një mënyrë për të shuar shpirtin kritik, për të zëvendësuar lirinë me siguri, për të mbajtur njeriun të përkulur mbi një qëllim të vogël, të përsëritur, të zbrazët.

Kështu, ndërsa Naimi e sheh punën si shpëtim kolektiv, Nietzsche e sheh si robëri individuale. Por a janë këto dy vizione në kundërshti të plotë?

Në kontekstin historik të Naimit, puna është një akt çlirimi kombëtar. Ajo është përpjekje për të dalë nga errësira osmane, për të ndërtuar një vetëdije shqiptare, për të fituar dinjitetin e mohuar. Vargu i tij është një himn për bashkimin përmes mundit, për ndërtimin e një të ardhmeje që nuk ekziston ende.

Sami Frashëri, në veprën e tij Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, e përforcon këtë ide kur shkruan:  “Puna është nderi i njeriut dhe themeli i qytetërimit.”

Por Nietzsche flet për një shoqëri që ka fituar sigurinë, por ka humbur shpirtin. Ai flet për punën si idol të kohës moderne, që nuk çon më drejt dritës, por drejt një qetësie të zbrazët, ku njeriu nuk ka më kohë të mendojë, të ëndërrojë, të dashurojë.

Në këtë dritë, vargu i Naimit mund të shihet si fillimi i një rruge, ndërsa Nietzsche na paralajmëron për rrezikun e saj në fundin e saj. Kur puna bëhet qëllim në vetvete, kur ajo nuk është më mjet për dritë, por për rend, atëherë ajo kthehet në prangë.

Faik Konica, me ironinë e tij therëse, do të vinte në dyshim çdo idealizim të verbër të punës, duke e parë shpesh si një mjet për të mbuluar paaftësinë për të menduar. Në një ese të hershme, ai shkruan:  “Puna është e mirë, por kur bëhet me mend. Kur bëhet pa mend, është lodhje e kotë.”

Karl Marx, nga ana tjetër, e sheh punën si thelb të qenies njerëzore, por paralajmëron për alienimin që ndodh kur puna i shërben kapitalit dhe jo njeriut. Në Dorëzimet ekonomiko-filozofike, ai shkruan:  “Në punën e huaj, njeriu humbet vetveten.”

Albert Camus, në Miti i Sizifit, e sheh punën si një absurditet të domosdoshëm: Sizifi që ngre gurin përjetësisht është figurë e njeriut modern, të lodhur, por të vetëdijshëm. Ai nuk e mohon punën, por e sheh si një akt rebelimi, një mënyrë për të përballuar absurditetin e ekzistencës.

Midis këtyre vizioneve qëndron një thirrje për ekuilibër, të mos harrojmë se puna është e shenjtë kur është mjet për liri, por bëhet e rrezikshme kur është mjet për nënshtrim. Të punosh për të parë dritë është akt i madhërishëm; por të punosh pa mundësi për të parë, për të menduar, për të dashuruar, është një formë e re errësire.

Nëse Naimi na mëson se pa punë nuk ka dritë, Nietzsche na kujton se pa shpirt, puna nuk ndriçon. Dhe nëse Marx na fton të çlirojmë punën nga shfrytëzimi, Camus na fton ta përballojmë me vetëdije absurditetin e saj. Në këtë shumësi zërash, qëndron një e vërtetë e përbashkët, njeriu nuk është vetëm një qenie që punon, por një qenie që mendon, ndjen dhe ëndërron.

Gjithsesi, secili nga ne, ka patur momente të shpërthimeve dëshpëruese, puna ta shpif.

Çdo ditë! Po, çdo ditë dhe pa ndalim. Aq sa e ke të pamundur të përkufizosh qartë nëse je një qenie e një sërie më të larmishme përfshirjesh dhe përjetimi, apo dhëmbëzim i një ingranazhi që i sinkronizuar me një pafundësi detalesh të tjera, vë në punë një makineri që të shtrydh çdo ditë, edhe nëse je krimb apo shqiponjë.

Ligjësia e jetës përmes produktit të punës është njëjtë e pamëshirshme dhe e dhunshme, mizore dhe e pandalshme. Madje edhe kur kjo ndalon, një tjetër makineri shtrydhëse kujdeset që të jetë po kaq mizorë për mendjen dhe shpirtin. Sëmureni apo flakeni jashtë si një detal i konsumuar, dhëmbët e këtij ingranazhi të kafshojnë më dhimbshëm e dhunshëm. Nuk ke shumë mundësi nëse do të zgjedhësh të jetosh apo do të vdesësh, nuk të ka mbetur asgjë në të drejtën tënde vullnetlirë, sepse ose shpreson ose dorëzohesh.

Por, ajo është gjithçka që ne kemi përmes asaj që ne mundemi, edhe pse shpesh kuptimi i saj kërkon përngjasim me udhëtarin që ka humbur rrugën dhe që e kupton kur kthehet sërish aty ku u nis dhe niset sërish me shpresën se do të gjejë një rrugë që duhet ta çojë në destinacion, edhe pse atij i duhet sërish të kthehet në start, sepse e gjithë ajo që ai bën në këtë ngulm është përpjekja, njëjtë si Sizifi, i cili duhet të ringjisë në majë sërish e sërish gurin që e shndërron atë në gurë. 

Krijuesi pati pafund mënyra për të përmbushur njeriun, por zgjodhi skllavërinë si mënyrën e emancipimit dhe progresit, zhvillimit dhe rritjes, pa e transformuar atë dhe vetë ai botën së cilës i përket, cilatdo qofshin mjetet që ai përzgjodhi dhe limitet ku ai e shtyti qenien dhe mundësinë.

Megjithatë, jeta është e bukur dhe puna e bën atë të jetë e tillë, edhe pse ne kërkojmë më shumë dhe kuptojmë më thellësisht se gjithçka që ne duhet të bëjmë është të sakrifikohemi që ky përkufizim të mos ndryshojë dhe ne të mbetemi po ato të bindurit e kësaj ligjësie, megjithë zgjimet që thërrasim për t’u rebeluar ndaj këtij autoriteti.

Jo vetëm kaq!

Imagjinojeni se si skllavërimi i punës e ka dërrmuar njeriun, duke e e katandisur intimitetin, të vetmin ballsam për plagën e mundimit, në punë, në punë që duhet bërë, duke e zhveshur nga të gjithë nuancat e ngjyrave që përfaqësojnë rrezatimin e atij dielli ku shpirti ngrohet dhe dritet.

A ka shpëtim?

Po! I njëjtin pushtet që është kujdesur të jetë kaq i pamëshirshëm dhe i dhunshëm, ka ofruar si formulë shpëtimi nga kjo mizori nënshtrimi, të mos e vrasësh mendjen. Të bësh sikur, nuk vlen, të jesh menefrego, që të ndihesh, jo vetëm i lirë, por edhe i lumtur, pavarësisht se këto petka moderniteti i’a kane veshur budallait, si dikur monarkët grotesken gaztorit.

Po, ka dy zgjidhje, të zgjedhësh të jesh budalla, apo të jesh i ndiçuar nën dritën e arsyes dhe gumëzhimës së vargonjve. Kërkimi për një alternativë të tretë e bën përpjekjen një tentativë që tenton gjithnjë.