Shytaj: Nëse konstatohet problem, produkti kthehet, asgjësohet ose bllokohet – rregull i BE-së që zbatohet edhe në Shqipëri
Në emisionin Alert, të moderuar nga Granit Sokolaj, këtë të premte po diskutohet tema Ushqimi për kafshë dhe konsumatori.
I ftuar në studio ishte Festim Shytaj, Përgjegjës i Sektorit të Ushqyerit të Kafshëve pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR).
Shytaj u ndal tek procedurat që ndiqen në rastet kur konstatohet problem në produktin e importuar:
“I njëjti burim furnizimi – në këtë rast, le ta quajmë Serbia, edhe pse nuk ka rëndësi vendi i origjinës – në momentin që konstatohet problematikë, AKU është e detyruar që të kontrollojë 10 ngarkesa rresht nga i njëjti subjekt, nga i njëjti furnitor. Vetëm nëse të gjitha këto 10 ngarkesa rezultojnë pa problem, lejohet që subjekti të vijojë aktivitetin normal të tregtimit në Shqipëri.”
Sipas tij, në rast të kundërt, kur konstatohen shkelje apo rrezik, masa që merren janë:
Bllokimi i produktit,
Asgjësimi, ose
Kthimi mbrapsht në vendin e origjinës.
Shytaj shtoi se rregullat janë të njëjta me ato të Bashkimit Europian, dhe se Shqipëria është e detyruar të zbatojë të njëjtat standarde dhe procedura.
“Vendet e BE-së e kanë të përcaktuar qartë: kur risku është i ulët, kontrolli bëhet një herë në 18 muaj; kur është i mesëm, një herë në 9 muaj. Në rast se kemi të bëjmë me risk të lartë, atëherë veprohet rast pas rasti, me kontrolle më të shpeshta.”
