Çela: Nuk mund të bëjmë edhe fermerin, edhe laborantin. Institucionet të garantojnë cilësinë

Në emisionin Alert të moderuar nga Granit Sokolaj këtë të premte, po diskutohet tema: "Ushqimi për kafshë dhe konsumatori" , ku i ftuar në lidhje Skype është  Dashamir Çela, nga Shoqata Blegtorët Prodhues të Qumështit, i cili u shpreh se misri serb ka shumë problematika me aflatoksinën.

“Unë si blegtor shoh fletën e analizës, sepse jam i interesuar, dhe sa herë marr koncentrat, shoh fletën e analizës që shoqëron produktin. Kur shoh një fletë që vjen me 0.02, e firmosur nga fermë, kjo tregon se misri është shumë cilësor – por kam dyshimet e mia që ky misër nuk është në normë, siç thotë fleta e analizës 0.02, por është shumë, shumë më lart."

Ai theksoi se, sipas ekspertëve:

“Nëse e shohim nga ana e ekspertëve të aflatoksinës, që ne kemi folur, është 100% e sigurt që kjo vjen nga misri. Është sasia e madhe që mund të marrë kafsha, sepse kjo merret vetëm nga misri. Dhe kjo lë shumë për të dëshiruar nga cilësia e misrit që vjen këtu.”

Çela apeloi për ndërhyrjen e institucioneve:

“Këtu duhet të ndërhyjë institucioni përkatës , dogana , që të ketë një kontroll më rigoroz për cilësinë dhe fleta e analizës që shoqëron produktin të jetë më e besueshme. Që edhe ne si fermerë të punojmë më rehat, sepse kemi shumë problematika. Nuk mundet që ne si fermerë të bëjmë edhe laborantin, për të kontrolluar sasitë e mëdha që vijnë nga importi.”

Ai përfundoi me theksin te nevoja për standarde të qarta dhe të unifikuara me Bashkimin Europian:

“Misri që vjen nga Serbia duhet të ketë kontroll të plotë, duke bërë më të mirën për të arritur standardin europian, të paktën 0.05 ose 0.04, që të jemi nën normë të Bashkimit Europian, për të arritur normat e atyre – duke e çuar nën nivelet e 0.05.”