Dy ditë pas operacionit te vilat e ish-deputetit Vladimir Kosta, Koçiu rikthehet në Farkë: Gjobë për çdo tejkalim të lejes së ndërtimit, kallëzim penal dhe ...
Operacioni kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor për ata që ndërtojnë pa leje, përtej lejes, apo për qëllime fitimi, ka nisur e po shtrihet në zonat rreth Tiranës, ku ndërtuesit, mbikqyrësit, inspektorët, që kanë shkelur kushtet e lejeve për vila e godina të shtrenjta, do të përballen me masat administrative e penale, që parasheh legjislacioni në fuqi.
Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu ishte sërish sot në Farkë, ku theksoi se çdo ndërtim pa leje apo tejkalim i saj do të ndëshkohet me gjobë, kallëzim penal dhe prishje të menjëhershme.
Kujtojmë se vilat në Farkë po ndërtoheshin nga Vladimir Kosta, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe i “përkëdheluri me leje” nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili qëndron në burg prej 10 shkurtit të këtij viti për 13 akuza të rënda penale dhe po pret ditën e gjykimit në qeli, pasi sipas SPAK-ut është person me rrezikshmëri të lartë sa i përket hetimit.
Koçiu theksoi se “kontrollet kanë treguar se abuzimet me territorin, nuk janë vetëm çështje individësh që ndërtojnë pa leje, por shpesh lidhen edhe me mospërmbushje të detyrës nga ana e punonjësve publike”.
“Askush nuk do të mbrohet nga pozicioni që mban kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit. Prandaj masat po shtrihen në çdo nivel përgjegjësie”, nënvizoi ministrja.
Sipas ministres “në këtë proces ndërtuesit duhet të jenë të parët që tregojnë kujdes”.
“Shfrytëzimi i çdo metri katror më shumë nga ajo që është lejuar do të penalizohet rëndë me gjobë, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme”, tha Koçiu.
Në të njëjtën kohë, ministrja u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm kur blejnë një pronë, të verifikojnë dokumentacionin dhe statusin ligjor të objektit, duke shmangur kështu çdo mashtrim apo abuzim.
“Të gjitha këto masa po zbatohen mbi bazën e paketës ligjore të miratuara në fillim të muajit tetor e cila ka forcuar më tej mekanizmat e kontrollit të territorit dhe sanksionet ndaj çdo shkelje”, tha ministrja.
Koçiu theksoi se mbrojtja e territorit nuk ka kthim pas.

Kujtojmë se dy ditë më parë ministrja e Brendshme Albana Koçiu bëri të njëjtin paralajmërim nga një rezidencë me vila në periferi të Tiranës, dhe një ditë pas saj policia arrestoi disa inspektorë të IMT-së që lejuan ndërtimin e 3 vilave përtej lejes dhe vuri para përgjegjësisë penale zyrtarë të kompanisë së ndërtimit.
Nga hetimet e deritanishme, policia tha se të paktën 14 persona janë përfshirë në këtë veprimtari, 6 prej të cilëve në kërkim.
Për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, në kërkim u shpall pronarja e subjektit “Austrian Construction Albania”, Elga Kosta, 55 vjeç, si dhe administratori i shoqërisë, Stavro Suloti bashkë me arkitekten. QKB
5 inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë, u arrestuan: Gjergji Male, Krenar Rexhepi, Aldo Dubi, Odise Cenaj dhe Endri Dervishi për shpërdorim të detyrës.
Në gjendje të lirë për të njëjtën vepër, po hetohet një inspektore 35-vjeçare, ndërsa 3 kolegë të saj u shpallën në kërkim.
Me mosveprimet dhe veprimet e kryera duke shpërdoruar detyrën, policia thotë se inspektorët kanë lejuar ndërtimin pa leje, të 3 banesave, në zonën rezidenciale.
Prangave të policisë nuk i shpëtuan as Bianka Xhumari 35 vjeç, drejtuese teknike e punimeve dhe Ritvan 36 vjeç Gjikolaj inxhinier i subjektit për llogari të të cilit janë ndërtuar tri objektet.
Në një reagim, shoqëria thotë se ka leje nga bashkia e Tiranës, dhe se nuk e ka tejkaluar atë. Në leje theksohet se një nga pronarët e truallit është ish-deputeti socialist Vladimir Kosta, shoqëri zhvilluese Austrian Constraction, dhe subjekt ndërtues Lani shpk.
"Duke shpërdoruar detyrën, lejuan ndërtimin pa leje të tri objekteve në një zonë rezidenciale në Sauk, vihen në pranga 5 inspektorë të IMT Tiranë dhe në hetim 1 tjetër. Shpallen në kërkim 3 shtetas me të njëjtën detyrë.
Më tej, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë (administratorë të subjektit ndërtues dhe zbatues të projektit për ndërtimin e tri objekteve)", informoi policia.
Pak ditë më parë, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit bllokoi kantierin e ndërtimit të vilave që kishin tejkaluar lejen zhvillimore. Kjo shkelje u evidentua jo vetëm pas inspektimeve në terren, por edhe nga monitorimi me dron.
VIDEO - KRONIKA E 5 NENTORIT


