“Luftë” për shëndetin e fëmijëve! OBSH nis fushatë vaksinimi në Gaza pas paqes Izrael-Hamas

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të nisë të dielën një fushatë masive vaksinimi në Rripin e Gazës, për të mbrojtur mijëra fëmijë që kanë mbetur pa vaksina gjatë dy viteve të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.

Sipas OBSH-së, synohet që rreth 44 mijë fëmijë të vaksinohen brenda 10 ditësh kundër fruthit, shytave, rubeolës dhe poliomelitit, ndërsa një raund i dytë dozash është planifikuar për në janar 2026.

Organizata paralajmëron se rreziku i shpërthimit të sëmundjeve infektive është real, pasi përqindja e vaksinimit në Gaza ka rënë nga 98% para luftës, në më pak se 70% sot.

Pas shfaqjes së rasteve të poliomelitit, OBSH zhvilloi disa fushata të kufizuara gjatë armëpushimeve humanitare në verën e vitit 2024 dhe në shkurt të 2025-ës.

Por infrastruktura e shkatërruar, mungesa e energjisë dhe aksesit në zona civile e kanë bërë të vështirë ruajtjen e vaksinave dhe shpërndarjen e tyre.

Ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë se çdo vonesë mund të ketë pasoja dramatike për një popullatë tashmë të rraskapitur nga lufta, ku 20% e fëmijëve nën pesë vjeç nuk janë vaksinuar kurrë.

Kjo fushatë, thekson OBSH, është një përpjekje për të shmangur një “krizë të dytë brenda krizës” — atë të epidemive të parandalueshme, që mund të përhapeshin me shpejtësi në kampet e mbipopulluara të Gazës.