Jensen Huang i Nvidias thotë që Kina do ta fitojë garën e IA-së me SHBA-në

Shefi ekzekutiv i Nvidias, Jensen Huang, ka paralajmëruar se Kina do ta mposhtë SHBA-në në garën për inteligjencën artificiale, falë kostove më të ulëta të energjisë dhe rregulloreve më të lehta.

Në komentet më të drejtpërdrejta deri tani nga kreu i kompanisë më të vlefshme në botë, Huang i tha Financial Times: "Kina do ta fitojë garën e inteligjencës artificiale."

Deklaratat e Huangut vijnë pasi administrata Trump mbajti në fuqi ndalimin që i ndalon Nvidias shitjen e çipeve të saj më të avancuara në Pekin, pas një takimi javën e kaluar midis presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping.

Sipas Huangut, Perëndimi, përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, po pengohet nga "cinizmi". "Na duhet më shumë optimizëm," tha ai të mërkurën, gjatë samitit Future of AI të organizuar nga Financial Times.

Huang veçoi rregulloret e reja mbi inteligjencën artificiale të disa shteteve amerikane që mund të sjellin "50 rregulla të ndryshme". Ai e krahasoi këtë qasje me subvencionet kineze të energjisë, të cilat e bëjnë më të përballueshme për kompanitë vendase të teknologjisë që të përdorin alternativa kineze ndaj çipeve të Nvidias. "Energjia atje është falas," u shpreh ai.

Financial Times raportoi këtë javë se Kina ka rritur subvencionet për energjinë për disa qendra të mëdha të të dhënave të drejtuara nga gjigantët kinezë të teknologjisë si ByteDance, Alibaba dhe Tencent.

Sipas burimeve të njohura me situatën, qeveritë lokale kanë shtuar stimujt për energjinë pasi kompanitë kineze të teknologjisë u ankuan te rregullatorët për kostot e rritura të përdorimit të gjysmëpërçuesve vendas nga kompani si Huawei dhe Cambricon. Shumica e këtyre sistemeve janë më pak efikase në energji sesa ato të prodhuara nga Nvidia.

Huang ka paralajmëruar edhe më parë se modelet më të fundit amerikane të inteligjencës artificiale nuk janë shumë para rivalëve kinezë, duke i bërë thirrje qeverisë amerikane të hapë tregun për çipet e saj në mënyrë që pjesa tjetër e botës të mbetet e varur nga teknologjia amerikane.

Por pas takimit me Xi-në, Trump deklaroi javën e kaluar se nuk dëshiron t'i lejojë Kinës përdorimin e çipeve më të avancuara Blackwell të Nvidias. "Këto janë më të avancuarat dhe nuk do t'i lejojmë askujt tjetër përveç Shteteve të Bashkuara t'i ketë," tha ai për CBS. "Do t'i lejojmë të bëjnë marrëveshje me Nvidian, por jo për më të avancuarat."

Javën e kaluar Nvidia mbajti një konferencë për zhvillues në Uashington, duke theksuar përpjekjet e saj për të fituar mbështetje nga qeveria amerikane.

Kapitalizimi i tregut të kompanisë arriti për herë të parë në 5 trilionë dollarë javën e kaluar, i nxitur nga komentet e Trump se planifikonte ta diskutonte çështjen e çipeve Blackwell me Xi-në në Korenë e Jugut. Por, sipas vetë presidentit, tema nuk u trajtua në bisedën e tyre.

Më herët, Trump kishte sugjeruar se Nvidia mund të rikthente qasjen në tregun kinez me një version të modifikuar të procesorëve të saj më të fundit.

"Është e mundur që të arrijmë një marrëveshje" për një version të Blackwell-it që ishte "i përmirësuar në mënyrë negative ", kishte thënë ai në gusht.

Komentet e tij erdhën pasi Nvidia dhe AMD ranë dakord t'i paguajnë qeverisë amerikane 15 për qind të të ardhurave që gjenerojnë në Kinë nga shitjet e procesorëve ekzistues të përshtatur për atë treg.

SHBA ende nuk ka miratuar rregulloret e nevojshme për të lejuar shitje të tilla. Shqetësimi amerikan për përparimin e Kinës në inteligjencën artificiale është rritur gjatë gjithë vitit, që prej momentit kur DeepSeek, një laborator i vogël kinez për IA-në, tronditi botën me nivelin e lartë të sofistikimit të modelit të tij të madh gjuhësor.

Publikimi i modelit DeepSeek në janar ndezi një debat të zjarrtë në Silicon Valley për atë nëse kompanitë amerikane të inteligjencës artificiale, si OpenAI dhe Anthropic, me burime më të mëdha, do të mund të ruajnë superioritetin e tyre teknologjik.