BUXHETI I DREJTËSISË 2026/ KLGJ merr “pjesën e luanit” për modernizim, digjitalizim e kushte

Sistemi i drejtësisë do të ketë rritje të ndjeshme buxheti në vitin 2026, me Këshillin e Lartë Gjyqësor që përfiton shtesën më të madhe për modernizim, digjitalizim dhe kushte më të mira pune. Ndërkohë, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme mbeten në të njëjtat nivele financimi, ndërsa Shkolla e Magjistraturës dhe disa institucione të tjera do të kenë më pak fonde.

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri do të ketë një shtesë të ndjeshme buxhetore gjatë vitit 2026.

Krahasuar me vitin 2025, rritjen më të lartë e ka Këshilli i Lartë Gjyqësor, me një buxhet prej 6.8 miliardë lekësh, me  mbi 1.2 miliardë lekë krahasuar me vitin që po lëmë pas e që pritet të përdoret për modernizimin e sistemit gjyqësor, digjitalizimin e shërbimeve dhe përmirësimin e kushteve të punës në gjykata

Sipas shifrave Këshilli i Lartë i Prokurorisë KLP do të ketë një buxhet prej 228 milionë euro, nga 211 milionë euro në vitin 2025.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese do të ketë një buxhet prej 257 milionë euro, nga 250 milionë euro një vit më parë.

Prokuroria e Përgjithshme ruan të njëjtin nivel financimi si një vit më parë, me 3.3 miliardë lekë, ndërsa Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK mbetet gjithashtu në nivelin e 2.1 miliardë lekëve.

Shkolla e Magjistraturës, ILD dhe KPA do të marrin më pak para nga buxheti i vitit 2026.

Rritja e financimeve për sistemin e gjyqësorit vjen në një kohë kur, pas vrasjes tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në 6 tetor të këtij viti, vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas kësaj tragjedie duhet një reflektim i thellë në sistemin e brendshëm të gjykatave, përfshirë edhe pajisjet teknologjike dhe masat e sigurisë në ambientet e gjykatave.