Anok Yai, Modelja e Vitit! Këshilli Britanik i Modës nderon sudanezo-amerikanen për ndikimin e saj global në modë
Anok Yai është Modelja e Vitit për Çmimet e Modës 2025, të prezantuara nga Pandora.
Ceremonia do të mbahet më 1 dhjetor 2025 në Royal Albert Hall në Londër, por BFC ka zgjedhur ta bëjë njoftimin zyrtar më herët, për të nderuar një nga figurat më frymëzuese të industrisë globale të modës.
E lindur në Egjipt nga prindër me origjinë nga Sudani i Jugut dhe e rritur në Shtetet e Bashkuara, Anok Yai është shndërruar në një nga modelet më të kërkuara në botë.
Gjatë vitit 2025, ajo ka qenë fytyra kryesore e fushatave për marka si Versace, Alaïa dhe Saint Laurent, si dhe mbetet ambasadore e aromës Alien të Mugler.
Ajo ka pozuar në kopertina prestigjioze, përfshirë Vogue France, ndërsa BFC thekson se kjo njohje vjen si rezultat i ndikimit të saj estetik, kulturor dhe përfaqësues në industrinë e modës.
Përpara se të hynte në botën e modelimit, Yai studionte biokimi. Karriera e saj nisi pas një fotografie të postuar në Instagram që u bë virale, duke e çuar drejt kontratës së saj të parë profesionale.
Vetëm një vit më pas, ajo hapi sfilatën e Prada-s në vitin 2019, duke u bërë gruaja e dytë me ngjyrë që e arrinte këtë, pas Naomi Campbell. “Ky vlerësim është për të gjithë ata që e kanë parë ndonjëherë historinë e tyre në timen. Faleminderit që na festoni,” – u shpreh Yai pas njoftimit.
Çmimi Modelja e Vitit vlerëson figurat që kanë ndikuar në formësimin e industrisë globale gjatë vitit, dhe përzgjedhja e këtij viti u bë nga një panel ekspertësh, përfshirë emra si Campbell Addy, Carlos Nazario dhe Sophia Neophitou-Apostolou.
Çmimet e Modës 2025 shërbejnë gjithashtu si një iniciativë për mbledhjen e fondeve për Fondacionin BFC, që mbështet edukimin, zhvillimin dhe mentorimin e talenteve të rinj në industrinë britanike të modës.

