“Glamour Woman of the Year Awards 2025” në Nju Jork! Nderohen gratë që kanë arritur ndikim global

Mbrëmja e ndarjes së çmimeve “Glamour Woman of the Year Awards 2025” u zhvillua në mënyrë madhështore në hotelin ikonik “The Plaza” në Nju Jork, duke mbledhur disa nga emrat më të njohur të botës së artit, modës dhe sportit.

Demi Moore dhe Rachel Zegler ishin në qendër të vëmendjes, duke udhëhequr një listë të gjatë personalitetesh të njohura që u shfaqën me elegancë dhe stil në tapetin e kuq.

Këtë vit, revista “Glamour” nderoi gra që kanë spikatur për ndikimin e tyre kulturor dhe shoqëror, përfshirë këngëtaren Tyla dhe organizatën sportive WNBA.

Aktorja Demi Moore, në moshën 62-vjeçare, mahniti të pranishmit me një kostum të zi elegant dhe një pamje klasike që nxirrte në pah hijeshinë dhe përvojën e saj në skenë.

Me flokët nga pas dhe aksesorë të bardhë të rafinuar, ajo u bë një nga figurat më të komentueshme të mbrëmjes.

Në kontrast, Rachel Zegler, një nga fitueset e këtij viti, zgjodhi një fustan të gjatë ngjyrë të verdhë, të stolisur me xixa, duke sjellë në tapetin e kuq një frymë të Hollivudit të Vjetër.

Në mesin e të ftuarve spikati edhe këngëtarja Tyla, e cila u shfaq me një fustan ngjyrë jeshile ulliri që simbolizonte më së shumti një përrua që na kujtoi edhe njëherë temën e këngës së saj “Water”.

Ndër personalitetet e tjera të pranishme ishin Olivia Palermo, Dove Cameron, Jay Ellis dhe Darren Criss, të cilët kontribuuan me stilin e tyre unik në atmosferën festive të galasë.

Ceremonia përfundoi me një homazh për Pat McGrath, grimeren legjendare britanike, e cila u vlerësua për kontributin e saj në botën e modës dhe bukurisë.

Ndarja e çmimeve “Glamour Woman of the Year” mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për të festuar suksesin, forcën dhe frymëzimin e grave në mbarë botën, duke riafirmuar rolin e tyre thelbësor në shoqëri dhe industri.