Tajfuni “Kalmaegi” godet Filipinet/ Evakuime masive, dëme të mëdha dhe viktima
Një person humbi jetën dhe mbi 150 mijë të tjerë janë evakuuar në Filipine, pasi tajfuni i fuqishëm Kalmaegi goditi rajonet qendrore të vendit. Autoritetet paralajmërojnë për reshje ekstreme, erëra shkatërruese dhe rrezik përmbytjesh. Stuhia po lëviz drejt Detit të Kinës Jugore dhe pritet të godasë Vietnamin.
Një person është konfirmuar i vdekur dhe mbi 150 mijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa tajfuni Kalmaegi goditi rajonet qendrore të Filipineve me erëra që arrijnë deri në 205 kilometra në orë.
Autoritetet vendase thonë se stuhia, e njohur në vend me emrin “Tino”, ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, dëme në infrastrukturë dhe frikë të madhe mes banorëve në zonat bregdetare.
“Rreth 156 mijë persona janë evakuuar si masë paraprake. Po përpiqemi të shmangim tragjeditë e mëdha të së kaluarës.”
Shumë prej zonave të prekura, si Palo dhe Tanauan, u shkatërruan rëndë në vitin 2013 nga supertajfuni Haiyan, ku humbën jetën mbi gjashtë mijë persona.
Në ishujt Dinagat dhe Samar, banorët tregojnë për erëra të furishme dhe shira të pandërprerë.
“Energjia është ndërprerë dhe nuk shohim asgjë jashtë,” thotë Miriam Vargas, një nënë me dy fëmijë.
Sipas shërbimit meteorologjik, Kalmaegi pritet të lëvizë drejt perëndimit, mbi Detin e Kinës Jugore, duke iu afruar brigjeve të Vietnamit deri të mërkurën.
Ndërkohë, autoritetet paralajmërojnë qytetarët të qëndrojnë në vende të sigurta dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës, pasi rreziku nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet mbetet i lartë.

