Hegseth: Aleanca SHBA-Kore e Jugut është përqëndruar tek Koreja e Veriut

Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë “fleksibilitetin” për trupat amerikane të vendosura në Korenë e Jugut për të vepruar ndaj kërcënimeve rajonale, por thelbi i aleancës me Seulin do të mbetet i fokusuar në parandalimin e Koresë së Veriut, tha sot  sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, sipas “Reuters”.

Ai foli së bashku me homologun e tij korean gjatë një vizite në Korenë e Jugut, e cila më parë përfshinte një vizitë në Zonën e Demilitarizuar (DMZ) në kufirin me Korenë e Veriut.

Kur u pyet nëse 28 500 trupat amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut mund të përdoren në konflikte jashtë gadishullit, përfshirë me Kinën, Hegseth tha në një konferencë se qëllimi i aleancës është mbrojtja nga Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore.

“Por nuk ka dyshim se fleksibiliteti për kontingjenca rajonale është diçka që do ta shqyrtonim”,  tha ai.

Zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar një plan për ta bërë ushtrinë amerikane më fleksibile që të veprojë jashtë gadishullit korean për t’iu përgjigjur një game më të gjerë kërcënimesh, si mbrojtja e Tajvanit dhe kontrolli i rritjes ushtarake të Kinës.

Koreja e Jugut ka rezistuar ndaj idesë për ndryshimin e rolit të trupave amerikane, por ka punuar për të rritur kapacitetet e saj ushtarake gjatë 20 viteve të fundit, me qëllim që të jetë në gjendje të marrë komandën gjatë luftës së forcave të përbashkëta SHBA-Kore e Jugut. Koreja e Jugut ka 450 000 trupa.