I “mbijetoi” 3 brezave në qeverisje/ Ndërron jetë kreu ceremonial i shtetit të Koresë së Veriut. 97-vjeçari i shërbeu edhe gjyshit edhe nipit Kim Jong Un

Kim Yong Nam, ish-kreu ceremonial i shtetit të Koresë së Veriut dhe besnik i dinastisë Kim, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare. Ai i shërbeu tre brezave të familjes pa thënë kurrë asnjë fjalë që regjimi mund ta konsideronte problematike.

Kim Yong Nam, ish-kreu ceremonial i shtetit të Koresë së Veriut dhe mbështetës i përhershëm i dinastisë sunduese, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.

Ai mbajti postin e presidentit të Asamblesë Supreme Popullore, organi formal më i lartë i vendit, nga viti 1998 deri në vitin 2019.

Kim Yong Nam shërbeu në role të  ndryshme diplomatike gjatë regjimeve të themeluesit të vendit Kim Il Sung, të birit të tij Kim Jong Il dhe nipit të tij Kim Jong Un, megjithatë nuk kishte lidhje familjare me ta.

Ai ndërroi jetë nga dështimi i shumëfishtë i organeve.

Kim Yong Nam lindi kur gadishulli Korean ishte nën sundimin kolonial japonez.

Duke filluar si një zyrtar i ulët në partinë në pushtet, ai u ngrit në detyrë deri sa u bë ministër i jashtëm, e më pas kryetar i Asamblesë Supreme Popullore.

Edhe pse pushteti i vërtetë mbeti gjithmonë në duart e familjes Kim, Kim Yong Nam shihej shpesh si fytyra përfaqësuese e Koresë së Veriut në arenën ndërkombëtare.

Ish-diplomati koreanoverior Thae Yong Ho, i cili është arratisur dhe jeton në Jug, i tha BBC-së se Kim Yong Nam “nuk ka thënë kurrë asnjë fjalë që regjimi ta konsideronte problematike.”

“Ai nuk shfaqi kurrë opinionet e veta... Nuk kishte as miq të ngushtë, as armiq. Nuk tregoi kurrë krijimtari. Nuk propozoi ndonjë politikë të re. Thjesht përsëriste atë që familja Kim kishte thënë më parë,” tha ai.

Ndryshe nga shumë zyrtarë të tjerë të lartë në Veri, Kim Yong Nam nuk u shkarkua asnjëherë nga detyra, edhe pse pushteti kaloi përmes tre brezave të familjes. Ai doli në pension në prill të vitit 2019.

Jetëgjatësia e tij politike është e rrallë, pasi shumë zyrtarë të tjerë janë pastruar, dërguar në kampe pune, apo edhe ekzekutuar nëse janë konsideruar kundër politikave të shtetit.

Madje në 1 rast në vitin 2013 Kim Jong Un urdhëroi ekzekutimin e xhaxhait të tij Chang Song Thaek për akte tradhtie.