“LAMTUMIRË KRYETAR”/ Rama për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos: Lamtumirë kryetar! Reagon politika
Politika shqiptare ka pësuar një humbje të madhe këtë të premte.Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano ka ndërruar jetë pas një kalvari sëmundjeje të rëndë.
Ai ndodhej i shtruar prej 24 ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore. Lideri historik i PS-së do të trajtohej në një spital privat në Tiranë në reanimacion.
““LAMTUMIRË KRYETAR”, shkruan pasardhësi i tij në krye të PS-së, kryeministri Edi Rama.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish kryetarit te PS, Fatos Nano. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla vlerëson Nanon, si njeriu nqë moderinzoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë.
Balla thote se do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar.
“Sot e humbëm Kryetarin Nano Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje! U prehsh në paqe shef”, shkruan Balla.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, shprehu sot ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano. Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e liderit socialist Fatos Nano përgjatë tranzicionit të vendit, si dhe politikat reformiste e liberale që ai ndoqi përgjatë aktivizimit në politikën shqiptare.
“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij. I paharruar!” - shkroi Presidenti i Republikës në mesazhin e ngushëllimit.
KUSH ISHTE FATOS NANO?
Fatos Nano, 73 vjeç është themeluesi dhe kreu i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai ishte njeriu që bëri të mundur transformimin e ish Partisë së punës që vinte nga trashëgimia komuniste, në një forcë që i rezistoi pluralizmit politik, si një aktore me peshë në skenën shqiptare.
Nano ka qenë kryetar i Partisë Socialiste nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005, kohë kur u shkëput nga politika. Një përpjekje e tij e mëvonshme për postin e kreut të shtetit, nuk u mbështet nga Partia socialiste, drejtimin e së cilës e kishte marrë Edi Rama. Gjatë viteve të angazhimit në politikë, që nga viti 1991, ai shërbeu 4 herë si kryeministër i vendit.

