Rama për TV5 Monde: Projekti i Kushner në Sazan, risi absolute në Mesdhe. Diella "shtatzënë" me 83 fëmijë
Çështjet ndërkombëtare, teknologjia, klima dhe zhvillimet në Shqipëri ishin në fokus të bisedës së kryeministrit Edi Rama gjatë një interviste për kanalin francez “TV5 Monde”. I pyetur për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Rama tha se jemi në një fazë shumë të avancuar dhe optimiste.
“Jemi në negociata të plota dhe kemi hapur 5 nga 6 grupet kryesore të kapitujve. Shpresojmë të hapim edhe të gjashtin, që do të ishte një rekord absolut në shpejtësi. Kjo lidhet edhe me faktin që Evropa, nga pikëpamja e zgjerimit, që unë e quaj ‘ripunifikim’, është zgjuar. Dhe kjo, në një farë mënyre, falë edhe luftës në Ukrainë, e cila tregoi nevojën për një Evropë më të bashkuar dhe më të fortë.”
Gazetari francez gjatë bisedës e pyeti kryeministrin Rama edhe për inteligjencën artificiale dhe për ministren Diella.
“Sa për ministren, ajo po punon, është shumë mirë. Ajo është ‘shtatzënë’ me 83 djem e vajza të ardhshëm, të cilët do të jenë ‘asistentë’ të grupit tonë parlamentar për inteligjencën artificiale. Pra, 83 persona që do të kenë për detyrë t’u ndihmojnë deputetëve, t’i asistojnë kur janë mungues në seancat parlamentare, për shembull.”
Në studion e televizionit francez “TV5Monde”, kryeministri Rama foli edhe për investimin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit, ku theksoi se do të jetë risi për zonën e Mesdheut.
“Jo ende, por jemi duke punuar, duke negociuar për ishullin, por edhe për projektin në tërësi, që përfshin jo vetëm ishullin, por edhe një pjesë të territorit përballë tij. Dhe mund t’ju them se projekti po përmirësohet dita-ditës. Nëse arrijmë ta zbatojmë ashtu siç e kemi parashikuar, do të jetë një risi absolute në Mesdhe dhe një model për t’u ndjekur nga pikëpamja e qëndrueshmërisë.”
Gjithashtu, gjatë intervistës në studion e televizionit francez, Edi Rama tha se diplomacia botërore po përballet me krizë të thellë, ashtu sikurse Evropa, dhe bëri thirrje për një “rilindje të diplomacisë”.
