VELIAJ “VAJTON” PËR MANDATIN/ Avokati Hoxha: Gjykata nga sot ka kohë deri në 30 ditë për vendimin
Erion Veliaj është rikthyer sot në ekran pas 262 ditësh në burg, që kur SPAK e arrestoi më 10 Shkurt të këtij viti me akuza për korrupsion, shpërdorim me detyrën, pastrim parash/ fshehje të të ardhurave.
Me duart e lidhura me prangat e hekurta, të cilat tentoi t’i fshihte mes policëve trup mëdhenj që e shoqëronin, kryebashkiaku i shkarkuar i Tiranës zbriti nga furgoni i burgjeve në derën e Gjykatës Kushtetuese për të marrë pjesë në seancën publike të shqyrtimit të ankimimit kundër qeverisë që e largoi nga detyra me kërkesë të këshillit bashkiak të kryeqytetit.
Avokati Arbër Hoxha në një intervistë për “Ora News” u shpreh se sot do të mbyllet shqyrtimi gjyqësor për Veliajn, në rast se Gjykata Kushtetuese gjen që nuk ka vend për prova të reja e në këto kushte do të shprehet për një vendim në një datë të ardhshme, datë kjo që maksimalisht është 30 ditë nga dita e sotme.
“30 ditë nga sot, pra maksimalisht Gjykata mund të marrë kohë 30 ditë nga dita e sotme.
Por unë besoj se të gjitha gjasat janë në favor të z. Veliaj dhe për këtë është pjesa dërrmuese e juristëve në vend, që mendojmë se vendimmarrja e Këshillit Bashkiak është në shkelje të plotë të nenit 62, pika C e tij.
Dhe vendimmarrja e Këshillit të Ministrave është në shkelje të plotë jo vetëm të nenit 62, por edhe të nenit 115 të Kushtetutës”, u shpreh avokati Hoxha.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AVOKATIN ARBËR HOXHA

