VIDEO/ Niko Peleshi i shpëton shkarkimit përmes votimit të fshehtë, opozita shpërthen në sallë

Kërkesa e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit është rrëzuar me 79 vota kundër. 10 deputetë votuan pro, zero abstenim. PD nuk mori pjesë.

Demokratët pretendojnë 5 shkelje të rënda të rregullores nga Peleshi dhe i kanë përqendruar argumentet e tyre në dy seancat e 16 dhe 18 shtatorit, ku u ndryshua rregullorja që e çoi numrin e komisioneve të përhershme parlamentare në 11, dhe mosrealizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës 'Rama 4'. 

Ivi Kaso, në emër të PD-së, tha se ata nuk po kërkojnë ndëshkimin e një personi, por kthimin e Kuvendit në standartet institucionale. Sipas tij, kjo kërkesë është një thirrje për përpjekje të përbashkëta, për të ndaluar rrëshkitjen e institucionit në një “institucion të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët”.

“I bëj një apel personal kryetarit të kuvendit, ik përpara votimit dhe jep dorëheqjen. Zgjidh dinjitetin tënd përpara detyrës së partisë, do të ikësh pa dinjitet se je ai që ke tentuar të heshtësh opozitën në sallën e sovranit dhe të zerosh rolin e parlamentit në demokraci. Do të ikësh pa dinjitet por do të çlirosh kuvendin nga detyra e kryetarit që nuk deshi të ngrihej në lartësinë e detyrës që ajo karrike meriton, por të paktësh do t’i kthesh drejtimin e kuvendit, kryetarit real, atij që sot drejton grupin parlamentar të PS, që është ulur pranë teje.”, tha Kaso.

Deputeti Damian Gjiknuri, në fjalën e tij në seancën që po shqyrtohet kërkesa e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit, trajtoi të gjitha pikat që pretendojnë opozitarët se janë shkelur. Gjiknuri u ndal edhe te Diella, e cila shkaktoi edhe debatin në një nga seancat e kaluara. Ai hodhi poshtë pretendimet e opozitarëve se kreu i qeverisë Edi Rama provokoi duke përdorur fjalën e Diellës në Kuvend, duke shtuar se thjesht përdori një mjet teknologjik.

Ironizoi edhe Sali Berishën, teksa tha se dikur kur drejtonte vendin në vitin 2007 fliste për Shqipëri me fuqi bërthamore dhe se ngriti edhe një grup pune.

“Pretendimet qëndronin në tre drejtime. E para pse u ndryshua rregullorja dhe pse u thërrit mbledhja në afate të shkurtra pa pritur afatin 7 ditor. E dyta, ndërprerja e seancës dhe deputetëve të opozitës dhe e treta, nuk u respektua debate parlamentar për programin qeverisës. Elementi i parë është pabesia, u tha këtu. Ne jemi Kuvend sovran, ne bëjmë rregullat tona. Për cfarë ishte thelbi i ndryshimit, do të krijoheshin disa komisione të reja dhe ishte deklaruar publikisht. Të gjitha palët kishin marrë masat për rialokimin e personelit parlamentar. Me vetëdije kishin pranuar pa bërë ndryshimin e rregullores përbërjen e re. Gjykata Kushtetuese thotë se rregullorja e Kuvendit është akt sovran i brendshëm normative i kuvendit dhe e shtrin efektin vetëm brenda anëtarëve të Kuvendit. Nuk është ligj.

Pretendimi i dytë se pse kryeministri provokoi sallën kur paraqiti programin qeveritar. Kushtetuta përcakton se çfarë ka detyrë Këshilli i ministra për paraqitjen e programit. U tha se kryeministri provokoi nëpërmjet Diellës. Kryeministri në fjalën e tij përdori mjete ndihmëse teknologjike, dikush do të thotë një avatar, i cili nuk është ministër. Kryeministri, në dekretin e presidentit, ka thënë jam përgjegjës për ngritjen e ministrisë të programit, që në këtë rast quhet Diella. Mund të quhej Manhattan Project. Kryeministri merr përgjegjësinë e një sektori qeveritar, AI. Dhe dekreti i presidentit thotë se kryeministri është përgjegjës për këtë. Mund të thoshte ministria për hapësirën ajrore. Dikur ka pasur kryeministri i 2007 Shqipëria fuqi bërthamore, ngriti një grup pune…Do të thotë që kryeministri po paraqiste një element të ri në qeverisjen e vendit. E bëri nëpërmjet mjeteve elektronike..”, tha mes të tjerash Peleshi.  

Më tej, Gjiknuri tha se Peleshi ka pasur një pozicion të vështirë ndërsa kaosi ka mbizotëruar në Kuvend. Sipas tij, nuk ka kryer asnjë shkelje por ka mbrojtur rendin kushtetues.

“Le të shërbejë ky votim kundër shkarkimit të kryetarit dhe të shërbejë si mësim që ne nuk nxjerrim gjë nga të sharat me njëri-tjetrin. Të mos ofendohet tjetri, Niko Peleshi ka bërë maksimumin e tij dhe me natyrën e tij. Niko ka një cilësi, është natyrë e qetë, është natyrë që do të përfshijë sa më shumë njerëz në debat. Pozicioni i tij i vështirë kur kaosi mbizotëron mbi rendin, ka ndërprerë seancën, por nuk i atribuohet asnjë shkelje e karakterit kushtetues por ka mbrojtur rendin kushtetues.”, tha Gjiknuri.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka folur për kërkesën e PD për shkarkimin e tij. Peleshi tha se shkaku që sot ndodhen në këtë pikë nuk është shkelja e rregullores dhe as ai vetë, por fryma e përçarjes që mbjell opozita. Peleshi hodhi poshtë akuzat e opozitës se favorizon mazhorancën, duke thënë se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.

"Para pak javësh ndodhi një ngjarje e rëndë, një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallë. Nga ai moment dhe në vazhdim u shpërfaq një ngjarje akoma më e rëndë, në rrjetet sociale pati një numër jo të vogël reagimesh që u solidarizuan me autorin e krimit. Mbase tani dikush pyet çlidhje ka kjo me procedurën e shkarkimit të kryetarit të Kuvendit. Do ti përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë", tha Peleshi. 

Një këshillë ia jep kolegëve të opozitës duke thënë se ka fituar 13 fushata dhe se ka kuptuar se suksesi në politikë nuk e ka kusht denigrimin. 

NDIQNI PUNIMET E SOTME PARLAMENTARE