Tirana dhe Partizani për mbijetesë/ Bardheblutë mposhten thellë nga Elbasani, 'Demat' munden nga Dinamo

Tirana vazhdon periudhën e errët në kampionat, duke pësuar një tjetër humbje, këtë herë në “Air Albania”, përballë Elbasanit me rezultatin 1-4.

Bardheblutë nuk po gjejnë mënyrën për të reaguar, ndërsa verdheblutë e drejtuar me qetësi dhe ambicie nga Gvozdenovic po tregojnë se kanë potencial për të qenë pjesë e garës për trofe, edhe pse sezoni është ende në fazat e para.

Ndeshja nisi me një ritëm të kujdesshëm nga të dyja skuadrat, por Elbasani u tregua më konkret dhe shfrytëzoi me zgjuarsi rastet që pati në pjesën e parë.

Në minutën e 38-të erdhi goli i avantazhit për verdheblutë: pas një goditjeje këndi, Musta goditi me kokë dhe Tafas reagoi fillimisht, por Tsage ishte i shpejtë për të ndjekur aksionin dhe e shtyu topin në rrjetë, duke çuar miqtë në epërsi.

Vetëm katër minuta më pas, në të 42-ën, Elbasani dyfishoi rezultatin.

Musta provoi me një goditje të fortë nga distanca, Tafas nuk arriti ta kontrollonte sferën, ndërsa Lulaj dhe Tsage u gjendën aty për të përfituar, me sulmuesin afrikan që e shtyu topin sërish në rrjetë për 0-2. Tirana u trondit dhe nuk gjeti forca për reagim deri në fund të pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, bardheblutë u përpoqën të ndryshonin fatin e takimit.

Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 65-të, kur pas një goditjeje dënimi nga e majta, Tabeku kërceu më lart se të gjithë dhe me kokë shkurtoi diferencën në 1-2.

Megjithatë, deri në fund, skuadra kryeqytetase jo vetëm që nuk arriti të gjente golin e barazimit, por pësoi në shtesë edhe dy gola të tjerë që mbajnë firmën e Ze Gomes dhe Diallo.

Kështu, Elbasani del nga “Air Albania” me tri pikë të arta dhe shkon në kuotën e 17 pikëve, duke u ngjitur në vendin e tretë të renditjes.

Tirana, në anën tjetër, mbetet në zonën e ftohtë të tabelës, me vetëm dy pikë më shumë se Flamurtari, që mbyll klasifikimin.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër Partizani vazhdon periudhën e vështirë në kampionat, duke dështuar të marrë pikë edhe në derbin e dytë të fazës së parë. Këtë herë, të kuqtë u përballën me Dinamon në “Elbasan Arena”, ku u mposhtën 2-0.

Në minutën e 26-të, Partizani mendoi se kishte kaluar në avantazh me gol të Garsias, por gëzimi u shua menjëherë, pasi arbitri anuloi golin për ndërhyrje të gabuar në zonë.

Në pjesën e dytë, Dinamo mori kontrollin e lojës. Fillimisht, Dejvi Bregu dhe Bruno Dita rrezikuan dy herë portën e Partizanit, por portieri Qirko u tregua vendimtar me pritje të shkëlqyera.

Megjithatë, në minutën e 54-t, fati e tradhtoi Partizanin: Atanaskovski, në përpjekje për të larguar topin nga zona, e devijoi atë në portën e tij, duke e kaluar Dinamon në avantazh 1-0.

Në minutën e 61-të, Dinamo ishte pranë golit të dytë me Ditën, por gjuajtja e tij me kokë kaloi shumë afër shtyllës. Megjithatë, në minutën e 76-të, Neziri vulosi fitoren me golin e dytë për blutë, duke shfrytëzuar lodhjen dhe mungesën e reagimit nga të kuqtë.

Në fund, Dinamo mori një fitore të merituar 2-0 dhe u ngjit në vendin e katërt me 17 pikë, vetëm dy më pak se Vllaznia kryesuese. Ndërkohë, Partizani zhytet edhe më shumë në krizë, duke zbritur në vendin e nëntë me vetëm 8 pikë, dy më shumë se Tirana e vendit të parafundit.