TRUMP DËSHIRON TË TRETIN! Presidenti amerikan: Njerëzit më duan, por nuk do të ishte e drejtë
Donald Trump ka rihapur debatin mbi kufizimin kushtetues të mandateve në SHBA, duke lënë të kuptohet se mund të kërkojë një mandat të tretë presidencial, ndërsa ish-strategu i tij Steve Bannon pretendon se ekziston një plan për ta bërë këtë realitet në zgjedhjet e vitit 2028.
Presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një mandati të tretë presidencial, duke thënë se “do ta donte” një gjë të tillë, megjithëse kushtetuta e SHBA-së e ndalon qartësisht një president të zgjidhet më shumë se dy herë.
Duke folur me gazetarët gjatë udhëtimit të tij në Azi, Trump tha se nuk ka menduar seriozisht për këtë opsion, por theksoi se gëzon “mbështetjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë në sondazhe”.
Ai ndërkohë hodhi poshtë idenë për të kandiduar si nënpresident në vitin 2028, një sugjerim që është hedhur nga disa mbështetës si mënyrë për të anashkaluar kufizimet kushtetuese.
“Mendoj se njerëzve nuk do t’u pëlqente kjo. Është shumë e zgjuar, por nuk do të ishte e drejtë,” – deklaroi Trump nga Air Force One, gjatë fluturimit nga Malajzia drejt Japonisë.
Komentet e tij vijnë pas deklaratave të ish-strategut të tij, Steve Bannon, i cili javën e kaluar tha për The Economist se ekziston një “plan” për të siguruar një mandat të tretë për Trump.
“Trump do të jetë president edhe në vitin 2028 dhe njerëzit duhet të mësohen me këtë,” – tha Bannon, duke shtuar se detajet do të publikohen “në kohën e duhur”.
Sipas Amendamentit të 22-të të Kushtetutës Amerikane, asnjë person nuk mund të zgjidhet president më shumë se dy herë. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë ligj do të kërkonte miratimin e dy të tretave të Kongresit dhe të 38 legjislaturave shtetërore, një proces i konsideruar pothuajse i pamundur.
Megjithatë, Trump, i cili aktualisht është në moshën 79-vjeçare, ka sugjeruar se nëse nuk kandidon vetë, nënpresidenti JD Vance dhe sekretari i shtetit Marco Rubio mund të jenë pasardhësit e tij politikë, duke i quajtur “të pathyeshëm”.
“Kemi një grup të shkëlqyer njerëzish, ndryshe nga ata,” – shtoi ai, duke iu referuar demokratëve.
Nga ana tjetër, demokratët ende nuk kanë përcaktuar qartë kandidatët për zgjedhjet e vitit 2028, megjithëse guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom dhe ish-nënpresidentja Kamala Harris kanë shprehur publikisht interesin për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë.

