FALJET E BIDEN NË PIKËPYETJE/ Komiteti republikan kërkon hetim për faljet e firmosura nga pajisja automatike
Republikanët shpallin të pavlefshme faljet e ish-presidentit Joe Biden përfshirë edhe atë për “djalin e tij”. Sipas tyre faljet janë të firmosura me pajisjen automatike autopen, dhe tashmw ata kërkojnë hetim penal për ndihmësit e tij dhe verifikim të procesit të vendimmarrjes.
Në Shtetet e Bashkuara, republikanët në Kongres kanë hedhur dyshime serioze mbi vlefshmërinë e faljeve presidenciale të ish-presidentit Joe Biden.
Një raport i ri prej 93 faqesh, i publikuar nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, thotë se Biden ka firmosur një sërë faljesh përmes pajisjes automatike të nënshkrimit, të njohur si autopen, dhe se këto veprime duhet të konsiderohen të pavlefshme.
Sipas raportit, Biden ka pësuar një “rënie njohëse” gjatë mandatit të tij dhe nuk është e qartë nëse ka qenë në dijeni të dokumenteve që janë nënshkruar në emrin e tij.
Komiteti i ka kërkuar Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, të hetojë ligjshmërinë e këtyre faljeve dhe të ndërmarrë veprime ndaj disa prej ndihmësve të lartë të ish-presidentit.
Në mesin e akteve të mëshirës të përmendura në raport, republikanët theksojnë edhe faktin se Biden ka falur “djalin e tij”, i cili ishte dënuar për akuza federale në lidhje me taksat, si dhe disa zyrtarë e bashkëpunëtorë të afërt të administratës së tij.
Sipas republikanëve, kjo tregon “abuzim me procesin e faljes” dhe mungesë transparence në Shtëpinë e Bardhë.
Nga ana tjetër, ekspertët ligjorë kujtojnë se përdorimi i autopen është i ligjshëm nëse autorizohet nga presidenti, dhe se nuk ekziston asnjë precedent në historinë amerikane për të anuluar një falje presidenciale.
Ish-presidenti Biden i ka cilësuar pretendimet si “gënjeshtra politike”, duke thënë se të gjitha vendimet janë marrë prej tij personalisht.
Gjithsese, ndërsa debati politik vazhdon, faljet përfshirë edhe atë për “djalin e tij” mbeten në fuqi dhe të vlefshme ligjërisht.

