Deklarata e bujshme/ Rusia shprehet e gatshme të presë Euro 2032 në vend të Italisë

Presidenti i Federatës Ruse të Futbollit, Alexander Dyukov, ka bërë një deklaratë të bujshme që ka tërhequr vëmendjen e medieve sportive evropiane.

Në një intervistë për portalin rus Sport.ru, ai është shprehur se Rusia është “plotësisht e gatshme” të marrë përsipër organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit Euro 2032, nëse Italia humbet të drejtën e mikpritjes për shkak të problemeve me stadiumet.

“Italia po përballet me disa vështirësi lidhur me rinovimin e impianteve sportive, por nëse do të humbiste këtë të drejtë, Rusia është e gatshme ta zëvendësojë”, deklaroi Dyukov.

Ai shtoi se vendi i tij ka përvojë të madhe në organizimin e ngjarjeve madhore ndërkombëtare, duke përmendur Kupën e Botës 2018, e cila u zhvillua me sukses në qytete si Moska, Shën Petersburgu, Soçi, Kazani e Samara.

Sipas mediave ruse, UEFA ka miratuar vetëm një nga dhjetë stadiumet italiane të propozuara për turneun e vitit 2032, çka ka hapur pikëpyetje serioze mbi gatishmërinë e Italisë për të përmbushur standardet infrastrukturore të kërkuara.

Për këtë arsye, ekziston mundësia që pjesa më e madhe e ndeshjeve të zhvendoset në Turqi, bashkëorganizatore zyrtare e turneut bashkë me Italinë, ose, në skenarin më të largët, që UEFA të kërkojë një vend alternativ.

Deklarata e Dyukov vjen në një moment të ndjeshëm për futbollin rus, i cili prej vitit 2022 është i përjashtuar nga garat evropiane për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, kreu i federatës ruse theksoi se vendi i tij mbetet “i hapur për dialog dhe bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të futbollit”, duke lënë të kuptohet se Moska synon të rikthehet gradualisht në skenën sportive ndërkombëtare.

Nëse do të ndodhte një skenar i tillë, Euro 2032 do të shënonte rikthimin e madh të Rusisë në qendër të futbollit evropian, vetëm 14 vjet pas Botërorit që e vuri vendin në hartën e ngjarjeve më të mëdha sportive.

Për momentin, UEFA nuk ka reaguar ndaj deklaratës së Dyukov, ndërsa Italia dhe Turqia vazhdojnë punën për përgatitjet e turneut që pritet të zhvillohet mes 8 qershorit dhe 10 korrikut 2032.