NORRIS FITON NË MEKSIKË/ Ferrari rimerr vendin e dytë te konstruktorët, Hamilton penalizohet
Lando Norris fiton pa rivalë në Mexico City dhe ngjitet në krye të renditjes së pilotëve, duke lënë pas shokun e skuadrës Piastri me vetëm një pikë diferencë. Një garë taktike me strategji perfekte dhe një tjetër hap drejt titullit botëror
Lando Norris konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe triumfon pa diskutim në Çmimin e Madh të Meksikës, duke shënuar fitoren e gjashtë sezonale dhe të dhjetën në karrierë.
Piloti britanik i McLaren fitoi nga “pole position” dhe me këtë rezultat kalon me vetëm një pikë shokun e skuadrës Oscar Piastri në krye të renditjes së përgjithshme të pilotëve.
Fitorja në Mexico City e vendos Norrisin në një listë të veçantë me Michael Schumacher, pasi të gjitha dhjetë fitoret e tij janë arritur në pista të ndryshme, një arritje që më parë i përkiste vetëm legjendës gjermane.
Në podium, pas britanikut u ngjitën Charles Leclerc me Ferrarin dhe Max Verstappen me Red Bullin, ndërsa një Virtual Safety Car në xhiron e parafundit i dha mundësi Leclerc-it të ruante vendin e dytë nga rikthimi i fortë i kampionit holandez, që kishte goma më të freskëta “soft”.
Strategjia me një ndalesë të vetme në bokse rezultoi fituese për tre të parët, ndërsa pas tyre shkëlqeu Oliver Bearman me Haas-Ferrari, që mbylli në vendin e katërt pas një gare mbresëlënëse, ku për shumë xhiro mbajti pozita të podiumit.

Pasi rezistoi sulmet e Piastrit në fund, Bearman siguroi një nga rezultatet më të mira të karrierës së tij. Mercedeset e Andrea Kimi Antonelli dhe George Russell u renditën në vendet e gjashtë dhe të shtatë.
Në fund, Russell ia ktheu pozicionin Antonellit, siç ishte urdhëruar më herët nga skuadra, por përpjekja për ta kapur Bearmanin dështoi.
Lewis Hamilton, megjithëse nisi nga rreshti i dytë, u rendit vetëm i teti, pasi u penalizua me 10 sekonda për një rikthim të parregullt në pistë pas një dueli me Verstappen.
Pavarësisht kësaj, Ferrari rimerr vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve, me vetëm një pikë më shumë se Mercedes . Esteban Ocon (Haas) dhe Gabriel Bortoleto (Sauber) mbyllën zonën e pikëve, duke zënë vendet e nëntë dhe dhjetë.
Një fundjavë perfekte për Norris, që konfirmon se gara për titullin është më e hapur se kurrë.

