IKËN UJI, ZBULOHEN DEMËT! Reshjet përmbytën banesa, dëmtuan bujqësinë e blegtorinë në qarqet Shkodër e Lezhë! Rrëshqitje dherash e gurësh në disa rrugë
Tërheqja e ujit nga zonat e përmbytura në Vaun e Dejës po nxjerr në pah dëmet që shkaktoi vërshimi i ujit, në banesa, biznese, bujqësi e blegtori. Në Mirditë e Pukë ndërkohë, rrëshqitjet e dherave e gurëve shkaktuan vështirësi në lëvizjen e njerëzve e mjeteve në disa rrugë kryesisht në zonat malore
Këto pamje tregojnë pasojat brenda një prej gati 100 shtëpive që prekën nga përmbytjet në Bashkinë e Vaut të Dejësit, ku pronari tregon nivelin e frikshëm që sipas tij arriti uji brenda objektit.
Ndërsa ky fermer në fshatin Hajmel tregon nivelin e ujit që arriti në fushën ku kultivon ullinj ku sicc thotë tashmë është shkatërruar thuajse i gjithë prodhimi.
Banorët thonë se reshje aq intensive shiu sa ato të së dielës nuk kishin parë prej dekadash, ndërsa pasojat u rikthejnë kujtimet e disa viteve më parë kur përmbytjet ishin një situatë me të cilën përballeshin në vazhdimësi.
Si shkak të përmbytjeve, banorët e fshatrave të Vaut të Dejës rendisin disa faktorë, mes të cilave dëmtime të argjinaturave, ndërsa kërkojnë ndërhyrje edhe në Përroin e Glinës dalja e të cilit nga shtrati i shndërroi rrugët të ngjashëm me lumenjtë malorë.
Tërheqja e ujit ka nxjerrë në pah dëmet dhe Bashkia lajmëroi nisjen e procedurës së verifikimit, por banorët e pranojnë se mungesa e kulturës së sigurimit të pronës, do tu kushtojë që ta mbulojnë vetë barrën e kostos.
Reshjet intensive mes të dielës e të hënës, shkaktuan problematika edhe në Pukë, ku vërshimi i ujërave dhe rrëshqitjet kanë dëmtuar disa rrugë rurale.
Rruga nacionale Pukë–Fushë Arrëz po ashtu u bllokua përkohësisht si pasojë e shembjes së një masivi dheu.
Rrugë e ura të dëmtuara mes vërshimit të ujërave u raportuan edhe në njësitë malore të Bashkisë së Mirditës.

