Berisha flet ulur: OSBE/ODIHR-i damkosi "11 majin"! Jemi të detyruar ndaj tyre të zbatojmë rekomandimet

Kreu i PD, Sali Berisha sqaroi në Kuvend se përse u dakordësuan me mazhorancën për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, zgjedhores dhe territoriales.

Berisha tha se raporti i OSBE-ODIHR damkosi 11 majin si farsë. Por, Berisha thotë se OSBE-ODIHR tha një sërë rekomandimesh të cilat PD do të punojë për t’i plotësuar, ndonëse sipas tij me Ramën nuk ka zgjedhje të lira.

“Ne sot votuam ngritjen e këtyre dy komisioneve për dy arsye themelore. Së pari janë një seri e pafundme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme.

OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi në mënyrë përfundimtare si një farsë e shëmtuar zgjedhore, zgjedhjet e 11 majit.

Në këtë kontekst, ne ndjehemi të detyruar ndaj tyre që orientimet e drejta dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute me Edi Ramën, shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë. Kjo është e vërteta.

Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale. Mjafton të rikujtoj këtu se qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 njësi, qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 njësi.

Sigurisht që ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Pra, kjo është arsyeja se pse ne i votuam këto dy komisione, ndonëse me bindjen më të thellë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, me Edi Ramën nuk ka votë të lirë. Është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u rikthejë shqiptarëve votën. Është përpjekja e opozitës ajo që do u rikthejë shqiptarëve votën”, tha Berisha.

VIDEO - NDIQNI PUNIMET E SOTME PARLAMENTARE