Përkeqësohet gjendja shëndetësore e dy naftëtarëve grevistë në Fier

Në ditën e 12- të të grevës së urisë, përkeqësohet gjendja shëndetësore e dy prej grevistëve, Dorjan Dylmishi dhe Dritan Rrapushi.

Vetëm pak minuta më parë ekipi shëndetësor ka mbërritur me ambulancë në zyrat e Sindikatës ku kanë kryer kontrollet përkatëse, ndërsa një prej tyre, Dorjan Dylmishi është transportuar drejt Spitalit Rajonal Fier për ndihmë më të specializuar.

Edhe pse shëndeti i grevistëve cenohet, ata shprehen të palëkundur në kauzën e tyre. Prej rreth dy javësh naftëtarët e Marinzës, të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur janë futur në grevë urie dhe kërkesat e tyre kryesore janë për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.

Protestat e punonjësve të Bankers nisën fillimisht në fillim të shtatorit, por u ndërprenë pasi u mendua për një zgjidhje konsensuale midis palëve. Por mos arritja e një marrëveshje duket se i çoi naftëtarët drejt përshkallëzimit të rezistencës ndaj kërkesave të tyre dhe hyrjen në grevë urie, më 15 tetor.