Kanceri i gjirit/ Vetëkontrolli shpëton jetë. Mjekja: Rritet numri i rasteve tek moshat e reja

Kanceri i gjirit mbetet një ndër sëmundjet më të përhapura tek gratë. Në një takim sensibilizues të zhvilluar me gra dhe vajza të medias, u përcoll mesazhi se parandalimi dhe kujdesi i vazhdueshëm janë thelbësorë për shëndetin e çdo gruaje.

Mjekja onkologe dhe sebologe, Irena Gusho, vuri theksin tek rëndësia e vetëkontrollit të gjirit dhe ndjekjes së rregullt mjekësore.

Sipas saj, përballja me sëmundjen kërkon jo vetëm trajtim mjekësor, por edhe mbështetje psikologjike dhe sociale, pasi forca emocionale ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e shërimit.

Doktoresha tërhoqi vëmendjen se rastet e kancerit të gjirit janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit, madje edhe tek moshat e reja, ndërsa ndërprerjet e shtatzënive mund të ndikojnë në prishjen e ekuilibrave hormonalë, duke rritur rrezikun për zhvillimin e tumorit.

Ky aktivitet u organizua nga Shoqata e Sigurueseve të Shqipërisë, në prani të Mimosa Hajdarmatës, e cila theksoi rolin e grave të medias në përhapjen e mesazheve sensibilizuese.

Sipas saj, ky aktivitet është një kujtesë për forcën dhe solidaritetin e grave, por edhe një thirrje për kujdes të vazhdueshëm ndaj shëndetit.

Një kontroll i thjeshtë mund të shpëtojë jetë –është ky mesazhi që mjekët dhe organizatorët duan të përcjellin në këtë muaj të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.