LVV pa numra, a do të formohet qeveria Kurti 3? Sot seanca vendimtare

Në orën 10:00 të kësaj të diele, 26 tetor, salla plenare e Kuvendit të Kosovës pritet të mbushet me ata të cilët morën besimin qytetar në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Deputetët e legjislaturës së 9-të janë thirrur në këtë seancë për të votuar për formimin e qeverisë së re. Por, se a do të kemi qeveri apo jo, kjo mbetet për t’u parë – ndonëse shanset janë minimale.

Kjo për faktin se partia e parë e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, LVV, nuk i ka numrat e duhur për ta zgjedhur Albin Kurtin edhe për një mandat në krye të qeverisë. Duke qenë në këtë pozicion, Kryesia e LVV-së u mblodh dje, 25 tetor, për të diskutuar mbi opsionet e mundshme. Se një “Kurti 3” do të jetë vështirë i arritshëm, e thonë edhe partitë PDK, LDK e AAK.

Ndërkaq, nga LVV-ja nuk kanë folur për çështjen nëse kanë arritur ndonjë marrëveshje me ndonjë prej partive parlamentare. Për më tepër, ishte vetë Kurti i cili para pak ditësh, në një tubim me mërgimtarë në Londër, e pranoi se mund të mos jetë në gjendje që të marrë në dorë edhe një herë ekzekutivin.

Lëvizja Vetëvendosje publikisht e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa për LDK-në e ka lënë derën hapur për bashkëpunim potencial.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti/ja i/e Kosovës duhet të emërojë një emër të dytë për kryeministër brenda 10 ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë. I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, kandidati i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe – në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës. Presidenti/ja shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.

Si janë shifrat?

Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e shkurtit, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 24 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 vende dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 8 vende. Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiç nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare, të njohura nga Kushtetuta e Kosovës: boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

Për të zgjedhur një qeveri të re, mandatari duhet të sigurojë së paku 61 vota. Më 20 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se ka ende kohë për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Qeverisë, por kritikoi Listën Serbe për “krijimin e pengesave”. Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të kundërshtuar zgjedhjen e Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit dhe është në pritje të përgjigjes. Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pranon ankesën e Listës Serbe si të bazuar, në praktikë kjo do të thoshte se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar.

Kjo do ta bënte të pamundur ndërmarrjen e ndonjë hapi drejt formimit të Qeverisë dhe institucioneve të reja. Më herët, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Listës Serbe se Kuvendi nuk është konstituuar pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.

Më pas u zgjodh Rashiç, sepse asnjë nga nëntë kandidatët nga Lista Serbe nuk arriti t’i siguronte votat e nevojshme. Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, një kandidat për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb propozohet nga shumica e deputetëve nga ai komunitet – gjë në të cilët thirret edhe Lista Serbe në ankesën e saj.

Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve. Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb./ REL