Punonjësit publikë në Portugali pezullojnë punën, kërkojnë rritje page prej 15%, por qeveria u jep vetëm 2%
Shërbimet publike të Portugalisë u paralizuan të premten nga një grevë e nëpunësve civilë që kërkonin rritje pagash më të larta se ato të njoftuara nga qeveria. Sipas Frontit të Përbashkët të Sindikatave të Administratës Publike, i cili përfaqëson rreth 30 sektorë, pjesëmarrja në grevë arriti në 80%. Qeveria nuk dha shifrat e veta.
Greva, e përshkruar si "më e madhja në vitet e fundit", është "përgjigja që qeveria meriton", theksoi Fronti i Përbashkët në deklaratën e saj. Sipas zëdhënësit të sindikatës, "qindra shkolla në të gjithë vendin" mbetën të mbyllura sot, takimet e pacientëve në spitale u shtynë, ndërsa pati edhe një pjesëmarrje të madhe të punonjësve në sistemin gjyqësor.
Sindikatat kërkojnë rritje prej 15%, ndërsa qeveria, në buxhetin që do t'i paraqitet Parlamentit të martën për votim, parashikon një rritje pagash prej vetëm 2.15%.
Qeveria e moderuar e krahut të djathtë e Luis Montenegros nuk ka shumicën absolute në Parlament, por Partia Socialiste e opozitës ka treguar tashmë se deputetët e saj do të abstenojnë nga votimi për të miratuar buxhetin. Qeveria gjithashtu planifikon të rrisë pensionet më të ulëta dhe të ulë taksat mbi të ardhurat dhe të korporatave.
