Takimi BE–Kinë anulohet mes tensioneve për metalet e rralla, Brukseli nën presion për përgjigje ndaj Pekinit
Takimi i planifikuar midis Komisionerit të Tregtisë së Bashkimit Evropian, Maros Šefčovič, dhe homologut të tij kinez është anuluar, ndërsa palët do të zhvillojnë bisedime në nivel ekspertësh në Bruksel për çështjen e kontrolleve të eksportit të metaleve të rralla nga Kina.
Këto materiale janë jetike për industrinë evropiane, veçanërisht në sektorët e automobilave, mbrojtjes, teknologjisë së gjelbër dhe dixhitale.
Vendimi për anulimin e takimit erdhi pas presionit të 27 shteteve anëtare të BE-së, të cilat kërkojnë një qëndrim më të fortë kundër asaj që e konsiderojnë “shtrëngim ekonomik” nga ana e Pekinit.
Diskutimet do të zhvillohen si online, ashtu edhe me pjesëmarrje fizike në Bruksel, ndërsa tensionet tregtare mes dy palëve janë rritur ndjeshëm.
Kina akuzohet nga BE-ja për përdorimin e eksporteve të metaleve të rralla si armë ekonomike, pasi që prej 9 tetorit ka vendosur një sistem licencimi të ndërlikuar për eksportin e tyre.
“Është shtrëngim ekonomik,” deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron pas samitit evropian, duke i bërë thirrje Komisionit të përdorë të gjitha mjetet mbrojtëse të mundshme.
Në vitin 2023, BE miratoi një paketë instrumentesh për t’iu kundërvënë presioneve ekonomike nga vendet e treta, përfshirë tarifat dhe kufizimet në aksesin në treg.
Megjithatë, aktivizimi i këtyre masave kërkon një shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare, e cila ende nuk është e garantuar.
Kancelari gjerman Friedrich Merz konfirmoi se gjatë samitit u diskutua për “Instrumentin kundër shtrëngimit”, por pa arritur ndonjë vendim përfundimtar.
Sipas burimeve diplomatike, shtetet anëtare kanë qëndrime të ndryshme për shkak të varësisë së tyre ekonomike nga Kina.
Në përfundimet e samitit, 27 udhëheqësit evropianë ranë dakord që Komisioni duhet të përdorë “të gjitha instrumentet ekonomike” për të kundërshtuar kërcënimet e jashtme.
Presidenti Macron paralajmëroi se Kina po ndjek një “logjikë të dampingut”, duke shitur produktet e saj në tregun evropian më lirë se në atë të brendshëm, gjë që po dëmton veçanërisht industrinë e çelikut në Evropë.
Ai kërkoi nisjen e hetimeve dhe një “qasje më sistematike ndaj sigurisë ekonomike” të Bashkimit Evropian.
