Qeveria miraton fondin për bonusin e fundvitit, Hoxha: Vendimi për përfitime elektorale. Zgjidhja e varfërisë indeksimi real
Qeveria ka miratuar Akti Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2025. Sipas Ministrisë së Financave, pas analizës së performancës 8-mujore të treguesve buxhetorë dhe fiskalë, u vendos që të bëhet një rishikim i buxhetit për të reflektuar zhvillimet e reja dhe për të harmonizuar parametrat financiarë me ecurinë aktuale të ekonomisë.
Po ashtu, buxheti parashikon një fond shtesë prej 5.9 miliardë lekësh për bonusin e fundvitit për pensionistët, duke e çuar në 9.7 miliardë lekë fondin total të dedikuar për këtë politikë sociale në vitin 2025.
Por në shifra konkrete sa lekë shtesë do të marrë çdo pensionist në fund të vitit si pasojë e këtij bonusi?
Përgjigjen e kësaj do ta jepte në studion e lajmeve në “Ora News”, eksperti i Pensioneve, Kujtim Hoxha.
“Një nga rrugët që zgjedh qeveria zakonisht për të zbutur efektet e varfërisë tek pensionistët është dhe bonusi. Por zgjidhja kryesore është indeksimi real i pensioneve me masën e inflacionit dhe kjo do ta zgjidhte përfundimisht këtë problem.
Kjo sepse në traditë është bërë që në fund të vitit të bëhen bonuse në fund të vitit për t’i ndihmuar pensionistët për të kaluar festat e fundvitit.
Por duhet të kuptojmë një gjë që në momentin që jepet, ky bonus jepet afro 2 muaj e gjysëm para festave, nuk priste dot kryeministri deri në dhjetor që të bënte shpalljen, por e bëri tani para zgjedhjeve lokale të parakohshme dhe këtë e bëri pikërisht për të ndikuar sadopak në këto votime edhe pse janë të pjesshme”, u shpreh ndër të tjera Kujtim Hoxha.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E PENSIONEVE, KUJTIM HOXHA

