Ceko: Shqiptarët po investojnë në kriptovaluta pa rregullim ligjor të qartë, rreziku i abuzimeve po rritet

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, eksperti i ekonomisë Endriko Ceko foli për mungesën e qartësisë ligjore në tregun e kriptovalutave në Shqipëri.

Ai theksoi se, ndonëse ekziston një ligj që lejon përdorimin e teknologjive për blerjen e kriptovalutave, ende nuk janë përcaktuar qartë rregullat e kontrollit dhe licencimit.

"Jemi në një situatë që ka një ligj për teknologjitë të cilat mund të përdoren në lidhje me blerjen e kriptovalutave, por ende nuk është e qartësuar me ligj sesi do funksionojë, aspektet e kontrollit, kapacitetet, cilët do të jenë subjektët që do të licensohen e gjëra të tjera, gjë që i lejon shqiptarët që të futen në blerjet e kriptovalutave por në momentin që një qytetar ka blerë kriptovalutë për momentin ai ka të drejtë të operojë vetëm me veten e tij.

Pra, kriptovalutën ta këmbejë me euro, dollarë ose lekë sepse e ka fituar në Forex, sepse kjo është e vetmja mënyrë për momentin që luhet në krypto. Pastaj paratë që ka fituar ti çoj tek numri i tij i llogarisë në bankë e pastaj është ai i përgjegjshëm për të paguar 15% tatim mbi fitim, tatim mbi të ardhurat personale. Kjo nuk ndodh

Ka shumë njerëz që operojnë dhe atë 15% nuk e paguajnë.

Nga ana tjetër, ka njerëz të tjerë që abuzojnë, kanë hapur një profil të vetin dhe i thonë qytetarëve 'më jep ca lekë ti se do luaj unë' dhe marin në qafë njerëz të tjerë, si punë e firmave piramidale në 97', që shitën edhe lopën se kujtuan se u bë deti kos", u shpreh Ceko.