Zëra dhe zemra që i lindi kënga, bashkë në këtë FOTO

Në këtë foto janë bashkuar jo thjesht artistë, por zëra dhe zemra që i lindi kënga dhe i rriti dashuria për artin. Është një kapitur i çmuar i muzikës shqiptare, një kapitull që u shkrua me pasion, profesionalizëm dhe shpirt.

Në një kornizë të vetme, janë mbledhur emra që i dhanë frymë dhe madhështi skenës shqiptare: Justina Aliaj, Kozma Dushi, Myfarete Laze, Bashkim Alibali, Afërdita Zonja, Irma Libohova, Liljana Kondakçi, Elton Deda.

Një fotografi që përmbledh kujtesë, mall dhe respekt për ata që dikur i jepnin tingull shpirtit të një kombi, që këndonin për dashurinë, për atdheun, për njeriun. Zërat e tyre mbetën si vula të artit të pastër, si identitete të paimitueshme të muzikës shqiptare.

Sot i dëgjojmë më rrallë, ndoshta në ndonjë promovim, koncert përkujtimor apo në ndonjë klikim të thjeshtë në YouTube. Por çdo herë që tingujt e tyre rikthehen, është sikur rikthehet një kohë e artë, një ndjenjë që frymonte në harmoni me shpirtin e njerëzve.

Në këtë foto, ata janë ashtu siç i ka ruajtur kujtesa e këngës: të qeshur, të afërt, të ndriçuar nga drita e pasionit që nuk shuhet. Sepse ata i bashkoi kënga dhe ëndrra për ta ngritur artin në lartësinë e një gjuhe të përbashkët të shpirtit shqiptar.

Një ëndërr që sot ne e shfletojmë si një thesar të gjallë të trashëgimisë sonë artistike, të ngulitur në tempullin e muzikës shqiptare.

Shënim: Foto e huajtur nga “Thenie te bukura”