EKSPOZITA/ “Magjia e vizatimit” e Gazmend Lekës në galerinë FAB
Ekspozita e Gazmend Lekës, “Magjia e vizatimit” vijon të magjepsë vizitorët e galerisë FAB.
Krijimet magjike të Lekës do të presin artdashësit deri më 2 nëntor.
Artisti është shprehur për mediet se vizatimi është shumë “i ngjitur” me njeriun dhe historinë e njerëzimit: që nga piktogramat e gjetur në shpella e deri tek tabelat e zeza te Einstein, Bohr dhe Oppenheimer.

“Vizatimi e ka magjinë në vetvete, ku mungon efekti shkak-pasojë dhe ti pyet veten, si erdhi kjo, si doli kjo?”, thotë Gazmend Leka.

Leka ka rrëfyer se vizatimet e kësaj ekspozite kishin nisur 3 vjet më parë dhe se ai, si një pedagog prej vitit 1991, në Universitetin e Arteve, i pa studentët e tij si një shtysë për t’i ekspozuar punët në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB).
Për ekspozitën “Magjia e vizatimit”, piktori Leka ka përzgjedhur rreth 60 vizatime të përmasave të mëdha dhe 15 të vogla.

Ashtu si edhe në ekspozita të tjera të viteve të fundit, Leka ka preferuar të bashkëpunojë dhe të ketë si kurator Ermir Hoxhën, ish-studentin e tij, tashmë pedagog i Historisë së Artit Shqiptar.

