PASOJAT DO TË NDIHEN PËR BREZA/ OBSH për Gazën: Jemi në kushtet e një katastrofe shëndetësore
OBSH paralajmëron se Gaza po përjeton një katastrofë shëndetësore me pasoja afatgjata, ku uria, kolapsi i sistemit mjekësor dhe shpërthimet e sëmundjeve përbëjnë një kërcënim serioz për jetën. Drejtori i OBSH-së, shton se kriza e shëndetit mendor dhe mungesa e ndihmës humanitare do të ndikojnë për breza të tërë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se Rripi i Gazës po përjeton një katastrofë shëndetësore me pasoja të cilat do të zgjasin për breza të tërë.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ndihma humanitare në territor është e pamjaftueshme për të përballuar nevojat komplekse të popullatës dhe për të rindërtuar sistemin shëndetësor të rrënuar nga lufta.
“Gaza ka përjetuar uri, kolaps të sistemit shëndetësor dhe shpërthime sëmundjesh për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës së ujit dhe higjienës. E gjithë kjo, e kombinuar me mungesën e qasjes në ndihmë humanitare, është një përzierje vdekjeprurëse”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i OBSH
Pas armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi më 10 tetor, Izraeli ka lejuar më shumë ndihma të hyjnë në Gaza, përfshirë edhe mjetet mjekësore, por OBSH thotë se kjo është shumë larg nga ajo që nevojitet.
Dr Tedros kritikoi faktin që disa furnizime mjekësore ndalohen në kufi sepse konsiderohen si pajisje me përdorim të dyfishtë.
Sipas OBSH, rreth 600 kamionë ndihme në ditë janë të nevojshëm për të përmbushur nevojat, por aktualisht hyjnë vetëm 200 deri në 300 në ditë.
Dr Tedros theksoi se Gaza po përballet jo vetëm me krizë fizike, por edhe me një shpërthim të problemeve të shëndetit mendor:
“Nëse kombinon urinë me krizën e shëndetit mendor që është tashmë e përhapur, ke një situatë që do të ndikojë për breza të tërë,” – tha ai.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, rindërtimi i Gazës do të kushtojë rreth 70 miliardë dollarë, nga të cilat 10% do të duhen për sistemin shëndetësor.

