Ngjarja në Durrës/ Ekspertët kërkojnë masa të menjëhershme për “zhdukjen” e armëve pa leje në qarkullim

Ekspertët e sigurisë kërkojnë masa të menjëhershme për uljen e numrit të armëve pa leje në qarkullim. Ata sugjerojnë amnisti për dorëzimin vullnetar të tyre, ndjekur nga kontrolle të gjera policore për të garantuar sigurinë publike. Ndërkohë sociologët theksojnë se është e nevojshme edukimi, pasi shoqëria po shkon gjithnjë e më tepër drejt sjelljes agresive

Amnisti për dorëzimin vullnetar të armëve dhe më pas kontroll masiv për ata që nuk i dorëzojnë armë pa leje është sugjerimi që bëjnë ekspertët e sigurisë pas krimeve të fundit në vend.

Fatjon softa kërkon me forcë që pas fazës së parë të veprojë forca e ligjit  pa asnjë dallim.

Nga ana tjetër, Entela Binjaku thotë se po bëhemi një shoqëri që po bëhet gjithnjë e më impulsive e agresive, ku fjalët dhe debatet më elementare po zëvendësohen nga arma.

Sipas saj, duhen programe sensibilizuese, edukim dhe fushata kundër agresivitetit, për të frenuar normalizimin e dhunës në përditshmëri.

Përplasja me armë në Durrës pas një konflikti për ekspresin e kafesë ku u vranë dy persona, është një tregues i qartë që sherret edhe më banale marrin jetë njerëzish nëse armët pa leje janë në duart e tyre.