Arrestimi i avokatit, kryetarja e Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi: Detyrë e gjykatës të menaxhojë situatën!

Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për ndalimin e avokatit Ulian Bajrami pas një debati në sallën e gjyqit.

Qeleshi e quajti ngjarje të çuditshme, por që dëshmon për frymën që po krijohet në sallat e gjyqeve. 

"Ishte një ngjarje shumë e çuditshme dhe po i dëgjojmë në mënyrë të vazhdueshme. E perceptuam në fillim si kallëzim të prokurorit, sepse nuk ta merr mendja që oficeri i policisë gjyqësore ta bëjë me iniciativë.

E dëgjuam audion, që pretendohet si veprim i kundërligjshëm. Ajo që rezulton, në seancën gjyqësore, ata që janë në rol kyç, gjykata, duhet të disiplinojë procesin. Nuk mjaftojnë vetëm aftësitë profesionale, por edhe eksperienca dhe trajtimi i duhur për të menaxhuar situatën.

Reagimi i gjykatës duhet të jetë i matur. Është folur, është thënë do të merrem personalisht, por e ka sqaruar se për çfarë. Ka vijuar seanca normalisht. Çohet të nesërmen oficeri i policisë gjyqësore… 

E thamë që ndalimi ishte i paligjshëm, e ka të qartë se kur ndalohet një person. Kemi akoma konceptin që të arreston prokurori. Në burg të fut vetëm një masë sigurimi e gjykatës. Prokurori kërkon, gjykata e paanshme vendos. 

Avokatit i është sekusetruar celulari. Sekuestrimi ndaj kujtdo, nuk bëhet pa vendimin e gjykatës. Nga hiçi i kanë marrë celularin dhe pastaj kanë bërë urdhër ndalimi. Avokati është liruar sot në limitet e afatit 48 orë", tha ndër të tjera Qeleshi. 

Qeleshi foli edhe për reformën në drejtësi dhe problemet që janë krijuar me "pavarësimin" total të prokurorit, i cili nuk kontrollohet as nga një prokuror i një shkalle më të lartë. 

"Deri në 2014 kemi patur Prokurori që kontrollohej edhe në mënyrë hierarkike, edhe nga gjykata, garanti i fundit. Pas ndryshimeve kushteutese, prokurori është i pavarur, që do të thotë, edhe një prokuror që mund të gabojë, mbetet vetëm të vijë momenti i gjykatës.

Prokurori më i lartë që mund të konstatojë që ka masë të papërshtatshme, nuk ka kompetencë. Është vendosur standard, që prokurori i apelit nuk tërhiqet dot nga ajo që ka miratuar prokurori. 

Edhe presioni publik për efekt të dëshirës së madhe për masa ndëshkimi, që duhet të jenë kur të jetë e nevojshme, ka bërë që gjyqtarët, pak të trembur, që mos përfliten, se anatemohen, flet media, publiku, të pranojnë kërkesat e prokurorëve.

Kemi konstatuar, që gjykata jep dënim më të rëndë se prokuroria. Prokurori kërkon 5 vite dhe gjykata jep 7 vite. Kjo është ekstreme.  

Pra ky është problem i madh, nuk pranojmë që sistemi ynë bazohet në prezumimin e pafajësisë", tha ndër të tjera Qeleshi.