ALEANCË PËR MINERALET E RRALLA/ Trump e Albanese “bekojnë” paktin mes SHBA e Australisë

SHBA dhe Australia kanë firmosur një marrëveshje për rritjen e furnizimeve me metale të rralla dhe minerale kritike, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit Trump dhe kryeministrit Anthony Albanese. Lëvizja synon të frenojë dominimin e Kinës në prodhim dhe përpunim, duke forcuar zinxhirët perëndimorë të furnizimit.

SHBA-ja dhe Australia kanë hyrë në një partneritet të zgjeruar për metalet e rralla dhe mineralet kritike, me objektivin e qartë për të diversifikuar furnizimet globale dhe për të ulur varësinë nga Kina, e cila aktualisht kontrollon rreth 70% të prodhimit dhe 90% të përpunimit të këtyre lëndëve thelbësore.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi në shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan,Donald Trump dhe kryeministrit kanadez Anthony Albanese.

Marrëveshja do të mbështesë një program 8.5 miliardë dollarësh për zgjerimin e kapaciteteve minerare dhe përpunuese të Australisë.

Brenda gjashtë muajve pritet një paketë e përbashkët investimesh prej 1 miliard dollarësh në projekte në të dyja anët e Paqësorit.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni ka paralajmëruar ngritjen e një rafinerie të avancuar galliumi me kapacitet 100 ton në Australinë Perëndimore, si dhe 2.2 miliardë dollarë financim për projekte të mineraleve përmes Bankës së Eksport-Importit të SHBA-së.

Përveç kapitalit, palët do të bashkëpunojnë në fusha të “butë” por vendimtare për tregun: çmime, rregulla lejesh dhe shitje kompanish në sektor. Qasja synon të përshpejtojë miratimet, të japë sinjale stabiliteti për industrinë dhe të krijojë parashikueshmëri për investitorët.

Reagimi i bursës ishte i menjëhershëm: aksionet e Arafura Rare Earths dhe Iluka Resources u rritën ndjeshëm pas njoftimit, teksa tregu çmon perspektivën e kapaciteteve të reja të përpunimit në territor australian.

Megjithatë, sfida mbetet reale: edhe Australia, ashtu si SHBA, mbështetet te përpunimi kinez për ta kthyer mineralin në input të përdorshëm industrial. Kalimi nga varësia aktuale te një ekosistem i pavarur kërkon vite, teknologji dhe zinxhirë të rinj logjistikë.

Marrëveshja e re, e mbështetur nga financime publike dhe partneritete industriale, shënon një hap të madh drejt krijimit të kapaciteteve vendase të përpunimit, duke i afruar partnerët drejt një tregu më të qëndrueshëm dhe më pak të ekspozuar ndaj goditjeve gjeopolitike.